Duke ngarkuar...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

AMF thellon bashkëpunimin me rregullatorët evropianë

AMF thellon bashkëpunimin me rregullatorët evropianë

AMF thellon bashkëpunimin me rregullatorët evropianë, duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Bankën Kombëtare të Hungarisë. Ky hap ka si qëllim forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Bankës Kombëtare të Hungarisë (MNB).

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi, dhe Zv. Guvernatori i Bankës Kombëtare të Hungarisë, z. Csaba Kandrács. Ky dokument përcakton një kuadër bashkëpunimi të strukturuar mes dy rregullatorëve financiarë, duke u fokusuar në fushat e mbikëqyrjes, me prioritet të veçantë tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive.

Memorandumi i Mirëkuptimit krijon mundësi bashkëpunimi mes dy autoriteteve mbikëqyrëse, me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe investitorëve, si dhe promovimin e integritetit, stabilitetit dhe efikasitetit në tregjet që ndodhen nën mbikëqyrje.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndodhi pak ditë pas hapjes zyrtare të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian gjatë presidencës hungareze, për grupkapitujt e Themelorëve. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është institucioni përgjegjës për kapitullin 9 “Shërbimet financiare” dhe kontribuon gjithashtu në një sërë kapitujsh të tjerë gjatë procesit të negociatave.