Bankat regjistrojnë rezultate pozitive, sektori bankar rritet me 7.1%
di Redazione
05/08/2024
Sektori bankar vazhdoi të rritet edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, totali i aktiveve dhe portofoli i kredisë në sektor u zgjeruan më tej, ndërsa të gjitha bankat e mbyllën gjysmën e parë të këtij viti me rezultat financiar pozitiv.
Në fund të qershorit, totali i aktiveve arriti në 2 trilion lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 33 miliardë lekësh që nga fillimi i vitit. Me bazë vjetore, rritja e totalit të aktiveve të sektorit ishte 7.3%, krahasuar me 6.1% në fund të tremujorit të parë.
Portofoli i kredisë arriti në 739 miliardë lekë, duke u rritur me 7.5% që nga fillimi i vitit 2024 dhe me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në terma të kthimit nga kapitali aksioner (mesatarizuar me bazë vjetore), banka me përfitueshmërinë më të lartë ishte Raiffeisen me 29.47%, e ndjekur nga ABI Bank me 27.11%, Fibank me 25.05%, OTP Albania me 23.82%, Union Bank me 22.87%, Tirana Bank me 20.87%, BKT me 19.71%, Intesa Sanpaolo me 15.42%, Credins Bank me 10.35%, UBA me 5.48% dhe ProCredit Bank me 4.83%.
BKT mbetet banka më e madhe për nga vlera e aseteve me 24.6% të tregut, e ndjekur nga Credins Bank me 16.2%, Raiffeisen Bank me 14.8%, dhe bankat e tjera me përqindje më të vogla.
Sektori raportoi një fitim neto prej 19.3 miliardë lekësh, në rritje me 31% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. BKT raportoi fitimin më të lartë me mbi 4.7 miliardë lekë, e ndjekur nga Raiffeisen me afërsisht 4.4 miliardë lekë dhe OTP Albania me 2.6 miliardë lekë.
Krahasuar me një vit më parë, disa banka si Tirana Bank, ABI Bank dhe UBA kanë arritur një zgjerim të shpejtë në tregun e kredisë, ndërsa Credins, Raiffeisen, OTP dhe Intesa Sanpaolo kanë humbur terren. Shifrat tregojnë se të gjitha bankat e kanë mbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit me fitim.
Articolo Precedente
Sasia e lekëve jashtë bankave në Shqipëri arrin në 395 miliardë, duke thyer rekordin
Articolo Successivo
Wizz Air fillon operacionet ajrore nga Tirana në Salerno
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane