Connect with us

Lajme Të Tjera

Bosët e fajdeve – Skema paralele e kreditimit që i rëndon bizneset

Alma Gashi

Published

on

Një analizë nga Artan Gjergji, Ekspert i Shërbimeve dhe Tregjeve Financiare

Skemat e financimit të aktivitetit të inddividëve apo bizneseve nga burime jashtë sistemit financiar kanë qenë përherë prezent në vendin tonë dhe janë karakteristikë e vendeve në zhvillim. Megjithatë, niveli i përfshirjes së krimit të organizuar dhe pastrimit të parave në këtë aktivitet nga viti në vit intensifikohet dhe standardizohet duke u bërë më i sofistikuar. Gjithashtu në këtë rrugëtim për sofistikimin e procesit të huadhënies me fajde, përfshihen edhe institucione ligjzbatuese, legale apo financiare të cilat në shumë raste supozohet që të jenë filtra mbrojtës për qytetarët.

Cfarë janë fajdet?

Në zhargonin popullor identifikon fenomenin e huadhënies në vlera të mëdha monetare dhe me norma interesi shumë të larta ditore ose mujore, nga individë që kanë para kryesisht jashtë sistemit financiar. Individët që japin para me fajde janë persona që i kanë këto para të përfituara kreysisht në rrugë jo të ligjshme ose në rastin më të mirë janë para të evaduara nga pikëpamja fiske për të cilat nuk janë paguar detyrimet e tatimit mbi të ardhurat. Në pamundësi për t’i futur në sistemin financiar, fajdexhinjtë përpiqen të nxjerrin të ardhura ekstra nga këto para që rrinë mënjanë jashtë sistemit financiar, duke krijuar një sistem krejtësisht paralel e të paligjshëm.

Për të garantuar kthimin mbrapsht që parave të dhëna hua së bashku me interesat e larta, fajdexhinjtë njihen si persona me rekorde kriminale apo që në mënyrë direkte e indirekte kanë lidhje me persona të tilla apo me grupe të strukturuara kriminale. Garancia kryesore e tyre është frika dhe presioni, pasi njihen në shoqëri si njerëz të dhunshëm e të cilët do të përdornin cdo mjet të ligjshëm ose jo për të marrë mbrapsht borxhet e tyre.

Megjithatë, me kalimin e viteve dhe rritjen e problematikave, biznesi i fajdeve ka filluar të jetë më i “kujdesshëm” në drejtim të ekzekutimit të kolateraleve apo garancive duke u bazuar jo vetëm tek presioni por edhe duke nënshkruar kontrata huadhënie pranë noterëve në rrugë ligjore apo duke pranuar asete si kolateral për kreditë e dhëna si fajde. Për shkak se kjo ligjerisht konsiderohet si një marrëdhënie normale huadhënieje, forma të tilla u japin mundësinë këtyre subjeketeve që ushtruese të aktivitetit të paligjshëm të fajdeve që të ekzekutojnë në rrugë të ligjshme koletaralet, pa qenë nevoja t’u drejtohen formave të dhunshme që shpesh përfundojnë edhe në vepra penale.

Jo në pak raste fajdexhinjtë kërkojnë edhe garantor, të cilët janë kryesisht persona që gëzojnë respektin e të dy palëve, fajdexhiut dhe të huamarrësit. Garantori në një farë mënyre i jep fejdexhiut sigurinë për korrektesën e huamarrësit apo qoftë edhe garanton pagesën vetë në kushtet e dështimit të huamarrësit.

Pagesa e fajdeve

Ndodh kryesisht e ndarë në disa forma:

a. Fajdet Afatshkurtra – zakonisht interesat paguhen të gjitha në fund të periudhës së maturimit së bashku me principalin,

b. Fajdet Afatgjata – zakonisht interesat paguhen vecmas dhe në mënyrë periodike (kryesisht cdo muaj), ndërsa principali paguhet në fund të periudhës së huadhënies.

Megjithatë në varësi të shumës së dhënë hua nëpërmjet fajdeve, apo në varësi të karakteristikave që ka huamarrësi apo kolaterali që ai ka lënë, formulat e pagesës mund të jenë të ndryshme, ose edhe më të sofistikuara. Kështu, jo në pak raste, në pamundësi për të vjelë detyrimet nga huamarrësit, fajdexhinjtë kërkojnë në këmbim prej tyre realzimin e punëve të ndryshme të cilat në shumicën e rasteve janë aktivitete të paligjshme subjekt i veprave penale.

Pse fajdet janë aktivitet i paligjshëm

Kuadri ligjor në vendin tonë e më saktsisht ligji nr. 9667, datë 18.2.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë” nuk lejon asnjë subjekt të ofrojë veprimtari bankare e financiare ku përfshihet edhe kredidhënia (sic parashikohen në nenin 54), pa licensë nga Banka e Shqipërisë e cial është edhe enti rregullator i këtij tregu. Me fjalë të tjera, veprimtaria financiare e kredidhënies është një aktivitet i rregulluar me ligj dhe subjektet që ushtrojnë aktivitetin duhet më parë të pajisen me licensë nga Banka e Shqipërisë.

Kjo është arsyeja pse fenomeni i fajdeve është një aktivitet i paligjshëm pasi subjektet, jo vetëm që nuk kanë licensë, por nuk plotësojnë asnjë nga kriteret rigoroze të Bankës së Shqipërisë për të ofruar një aktivitet të tillë. Përtej perceptimit popullor që ekziston se fajdet janë një aktivitet i paligjshëm për shkak të normeve të larta të interesit, në realitet janë një aktivitet i paligjshëm nëse procesi i huadhënies dhe subjektet huadhënëse nuk kanë një licensë nga rregullatorët, të cilët janë edhe gardianët ligjore për të mos lejuar subjektet që ka mundësi finanicare, por që i mungon ekspertiza si dhe kanë burime kapitali jo transparente që të hyjnë në këtë treg.

Për të shmangur një pjesë të mirë të kësaj paligjshmërie, me sofistikimin e aktivitetit të fajdeve, ata përdorin kontratën e thjeshte të huadhënies mes individëve apo bizneseve për të lënë gjurmë mbi një aktivitet të tillë dhe pasur të drejtë për të pretenduar kthimin e detyrimit në të ardhmen. Por në asnjë rast kontratat noteriale të huadhënies nuk përfshijnë normat e interesit, sepse kjo do të përbëntë një shkelje ligjore dhe të papranueshme nga noteri. Fajdexinjtë dhe huamarrësit bien dakord para noterit për shumën e principalit të dhënë hua, ndërsa marrëveshjen për interesa, kohëzgjatjen, format e pagesës etj, i rregullojanë privatisht në mënyrë informale jashtë zyrave të noterëve.

Pikërisht këtu është edhe pika e dobët, që ka një vakum ligjor që shfrytëzohet nga fajdexhinjtë, pasi legjislacioni aktual nuk e detyron noterin të kërkojë prova të burimit të të ardhruave që jepen hua si principal, apo që t’i kërkojë noterëve që transaksionin ta bëjnë nëpërmjet bankave. Para noterit palët konfirmojnë me vullnetin e tyre të lirë pjesën e marrëveshjes që lejohet me ligj (huanë e principalit), duke qenë korrekt me kontratat dhe pa qenë e nevojshmë të bien në sy të organeve ligjzbatuese.

Ngatërrimi me skemat rentiere piramidale të vitit 1997

Në zhargonin publik ka një ngatërresë të madhe me termin “fajde” dhe sa herë përmendet ky term, shqiptarëve u vjen në mendje apo nënkuptojnë krizën financiare me të cilën u përball ekonomia e vendit për shkak të skemave rentiere “ponzi”.  Në fakt këto skema edhe pse përfshinin norma të larta huaje, nuk janë mirëfilltazi fajde, pasi përfshinin huadhënien masive të publikut ndaj një subjekti të vetëm që supozohej që i mblidhte për aktivitet financiar edhe pse nuk kishte licensë për këtë aktivitet. Në fakt asnjë nga subjektet rentiere deri në vitin 1997, kur filloi rënia  e tyre, nuk kishte një licensë për ushtrim aktiviteti nga Banka e Shqipërsë. Me fjalë të tjera, skemat rentiere i ngjanin më shumë një skeme të mbledhjes së depozitave nga publiku (e ngjashme me aktivitetin e një banke sot).

Ndërkohë që kuptimi i fenomenit të fajdeve ka të bëjë më shumë me kredidhënien që bën një subjekt i caktuar me paratë dhe kapitalin e tij (jo të publikut), karshi individëve apo bizneseve. Në vendet e anglo-saksone fajdexinjtë njihen si Peshkaqenë Kredidhënës (loan sharks) sepse u ngjanë peshkaqenëve nga mënyra se si peshkojnë prenë e tyre të zënë në vështirësi dhe i japin kredi me norma shumë të larta e shpesh herë robëruese. Nëse kredia nuk shlyhet atëherë, peshkaqeni e kafshon prenë e tij.

Si lind nevoja për të marrë para me fajde

Shpesh herë njerëzve u lind pyetja se përse individë apo biznese u drejtohen fajdexhinjve kur e dinë mirë që kostoja e tyre është shumë e lartë e në shumë raste e papërballueshme me norma që shkojnë deri në 7-10% në muaj (ekuivalente me njre kredi që ka norma vjetore 84 – 120% në vit).

a. Individët – duhet kuptuar që individët të cilët u drejtohen fajdexhinjve janë njerëz që ose kanë varësi të ndryshme që kërkojnë shumë të mëdha (droga, bixhozi etj) dhe u duhet të mbyllin detyrime më imediate, ose janë individë që merren me aktivitete të paligjshme por me norma mjaft të larta përfitimit (edhe pse me risk të lartë).

b. Biznesi –  gjatë gjithë kohës është në nevojë për fonde për të financuar rritjen e aktivitetit. Por në fillimet e veta, pikërisht atehrë kur nuk ka asnjë historik në sektorin financiar, ky biznes e ka pothuaj të pamundur që të marrë kredi nga bankat apo institucionet e mikrofinancës. I gjendur para një aktiviteti në rritje dhe nevojës për fonde, pasi ezaurohen të gjitha burimet familjare apo fisnore të huamarrjes pa interesa, shpesh biznesit i nuk i ngelet rrugë tjetër përvecse t’u drejtohet fajdexhinjve. Por edhe bizneset e mëdha jo në pak raste u drejtohen fajdexhinjve ose kur u duhet likujditet afatshkurtër (kapital qarkullues) për të paguar pagat, apo për të likujduar ndonjë faturë furnizimi, ose në rastet kur u duhet të bëjnë investime të mëdha dhe sektori bankar nuk është shumë felksibël në kohë (zgjat procesi) ose nuk u financon të gjithë shumën e nevojshme.

Kurthi i rehatisë së pagimit vetëm të interesave

Duhet thënë se në kushte emergjence, paratë me fajde mund të jenë një zgjidhje mjaft e mirë për bizneset të cilat kanë më shumë kosto nëse nuk gjejnë atë likujditet (psh humbasin një partner të mirë sepse nuk paguajnë në kohë, apo nuk blejnë dot makinerinë e duhur për të vijuar prodhimin, apo nuk paguajnë pagat dhe humbasin stafin etj.). Mirëpo kjo zgjidhje dhe ky administrim i përfimeve versus kostove nuk zgjat shumë në kohë. Sipas ekspertëve të fushës në varësi të nivelit të normave të fajdeve, një marrëdhënie e tillë bëhet  shumë problematike dhe e rëndë për financat e biznesit nëse tejkalon një periudhë 6-12 muaj dhe kthehet në vdekjeprurëse pas kësaj periudhe duke sjellë falimentimin e tij zakonisht në 2-3 vite.

Kurthi ku bien shumë biznesmenë, të cilët kanë për fakt të keq edhe një kulturë financiare modeste, është komoditeti që u jep atyre pagesa e vetëm interesave, ndërkohë që interesat paguhen në fund. Duke marrë të mirëqenë që në sektorin financiar një biznes që ka marrë kredi paguan së bashku si këst një pjesë të principalit dhe një pjesë të interesit, duke reduktuar në mënyrë graduale barrën financiare, formati i pagesës vetëm të interesave u duket komod mjaft bizneseve (është vlerë më e vogël se kësti i një kredie të ngjashme bankare që përfshin edhe këstin). Pikërisht ky komoditet i “vë në gjumë” mjaft biznese duke mos e përllogaritur dëmin e madh që shkakton në financat e biznesit zgjatja e kohës së fajdes. Pikërisht ngecja në këtë kurth shkatërron edhe biznese të mira, të cilat nën një administrim më të kudjesshëm, do ia kishin dalë mjaft mirë të mbijetonin edhe pas pagesës së fajdeve.

Lulëzimi i Bosëve të Fajdeve

Në fillimet e iteve 90’ në vendin tonë aktiviteti i fajdeve ushtrohej kryesisht nga individë që kishin likujditete të tepërta ndër duar, kryesisht kambistë apo persona të cilët në mungesë të një sistemi financiar apo institucione mikrokredie, krijonin likujditete afatshkurtra duke mbajtur si kolateral objekte me vlerë financiare krysisht argjendarira apo vepra arti (pawnbrokers).

Me kalimin e kohës dhe rritjen e kriminalitetit apo veprimeve që gjeneronin burime të mëdha të ardhurash nga aktivitete të paligjshme si prostitucioni, trafikimi i qënieve njerëzore (transferimi i emigrantëve drejt Europës) apo aktiviteti i tregtimit të lëndëve narkotike, në qytete të ndryshme të Shqipërisë filluan të lulëzojnë të ashtuquajturit “Bosët e Fajdeve”. Ata njiheshin kryesisht si njerëz korrektë e të pastër nga pikepamja e historikut penal, por që ishin të afërm të ngushtë (vëllezër, kushërinj të parë) të personave që ishin edhe kokat apo personat kyc të ushtrimit të aktiviteteve të paligjshme, apo sic njihen ndryshe “të fortët” e qyteteve përkatëse.

Edhe pse pa një shkollim të mirëfilltë financiar, ndarja e detyrave mes tyre u ngjan departamenteve të bankave sot kur Departamenti i Shitjes merret me negocimin e marrëveshjes dhe analizimin e karakteristikave, besueshmërisë dhe korrektesës së huamarrësit, ndërkohë që Departamenti i Administrimit të Kredisë së Keqe merret me ekzekutimin e kolateraleve. Familjarët pa precendentë penalë merreshin më shitjen (kontakti me personat dhe negocimi i termave, vjelja e interesave etj.) ndërkohë që kur ishte e nevojshme apo kur kishte vonesa në pagesa shfaqeshin “të fortët” të cilët nëpërmjet presionit dhe dhunës siguronin ose shlyerjen e detyrimeve ose ekzekutimin e kolateraleve.

Pas viteve 2010 për shkak edhe të sofistikimit të këtyre skemave familjare në organizma me të strukturuara kriminale, por edhe për shkak të liberalizimit të shërbimit të përmbarimit në vendin tonë, mjaft subjekte apo organizata fajdexhinjsh filluan të standardizojnë shërbimet e tyre në kontrata huaje nënshkruar para noterit si dhe në ekzekutime të ligjshme kolateralesh nëpërmjet përmbaruesve privatë të licensuar nga Ministria e Drejtësisë. Standardizimi i këtyre proceseve jo vetëm u dha mundësinë që të reduktonin risqet (sigurohej principali dhe ekzekutimi i kolateraleve pasuri të patundshme), por edhe të pastronin paratë, pasi jo në pak raste kërkohej që detyrimet të ktheheshin në kanalet bankare zyrtare duke i ligjeruar në një farë mënyrë si para të ligjshme për llogari të fajdexhinjve.

Ndryshimi i Qasjes së Fajdexhinjve ndër vite kundrejt bizneseve që kreditojnë

Zhvillimi i teknologjisë dhe infromacionit si dhe evolimi e fuqizimi i organizatave kriminale ka sofistikuar më tej skemat e fajdexhinjve duke u dhënë atyre mundësinë që tashmë të kthehen në investitorë në projekte të ndryshme pasurish të patundshme në mbarë vendin. Forma të tilla u jepnin mundësinë fajdexhinjve që të siguronin likujditete në vlera të mëdha për projekte të gatshme ndërtimi duke garantuar veten me kontrata noteriale huaje, të konvertueshme në asete sipas dëshirës. Kjo u mundëson fajdexhinjve fleksibilitet pasi nëse projekti nuk shkon mire (psh bllokohet) apo zgjat në kohë, të kërkojnë prinicpalin dhe interesat me një normë të dakordësuar. Por nëse cdo gjë shkon si duhet dhe pasuria e patundshme fiton vlerë tregu të lartë, atëherë detyrimi konvertohet në asete, duke rritu jo vetëm përfitimet por edhe duke pastruar vlera të konsiderueshme monetare në tregun vendas nëpërmjet shitjeve me cmime te larta.

E fundit por jo nga rëndësia, një pjesë më e mirëorganizuar dhe mirëstrukturuar e skemave të fajdeve të kthyer në investitorë, ndjek qasjen e “peshkaqenit predator”, duke kredituar biznese premtuese, apo startup të cilat kane nevojë ekstreme për burime financiare në fazën fillestare. Normat e kreditimit janë kastile shumë të larta pasi skema e organizuara ta fajdeve nuk janë të interesuara për të ardhurat nga interesi, por janë të interesuar që biznesi të dështojë në pagesa. Në këtë mënyrë e vënë para detyrimit të ekzekutimit të kolateralit që në shumë raste janë aksionet apo kuotat e kompanive të lëna kolateral pranë QKB apo Regjistrit të Barrëve Siguruese (RBS).

Shanset për zhdukjen e fenomenit

Në fakt në mbarë botën ka pasur gjithmonë dhe do ketë fajdexhinj, të cilët i shërbejnë një game të caktuar, edhe pse të vogël të shoqërisë. Ky target klientele, për arsye që dihen, dëshiron të qëndrojë në errësirë financiare e ligjore. Megjithatë, një ndër elementët kreyesorë që e redukton fenomenin e fajdeve në ekonomi është zhvillimi sa më i shpejtë i sistemit financiar dhe penetrimi i shërbimeve financiare në cdo qelizë të ekonomisë së një vendi. Rritja e konkurrencës dhe shtimi i operatorëve të licensuar janë elementë kycë në zhvillimin e sistemit financiar dhe aksesin në financë të biznesit, duke i krijuar atij shumë mundësi financiare pa qenë nevoja të bëhet pre e fajdexhinjve.

Ndërkohë zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit është një element kyc, për reduktimin e informalitetit në treg dhe në sektorin financiar. Shtimi i subjeteve FinTech që ofrojnë shërbime financiare në distancë dhe në kushte të sigurisë e transparencës së lartë, po shtyn gjithnë e më tepër operatorët ekonomikë drejt një ekonomie pa CASH, duke reduktuar mundësinë e parasë jashtë sisemit të jetë aktive në ekonomi. Padyshim që një rol të rëndësishëm luan edhe rritja e nivelit të edukimit e përfshirjes financiare që duhet të ketë publiku në ekonominë e vendit.

Ndërkohë që nuk duhet lënë mënjanë edhe puna që duhet të bëjnë organet ligjzbatuese për luftën kundër pastrimit të parave. Ato duhet të identifikojnë sektorët më të ekspozuar karshi këtij fenomeni dhe të marrin masa për mbylljen e hapësirave që të përfitojnë subjekte të jashtëligjshme.

Artikulli origjinal : https://artangjergji.blogspot.com/2024/05/boset-e-fajdeve-skema-paralele-e.html

Lajme Të Tjera

Bashkëpunim mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Universitetit të Tiranës për përgatitjen e përkthyesve zyrtarë

Alma Gashi

Published

on

2 njerez qe po i japin duart njeri tjerit

Ulsi Manja dhe Artan Hoxha, respektivisht Ministri i Drejtësisë dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, nënshkruan një marrëveshje strategjike për trajnimin e përkthyesve zyrtarë, në funksion të përmirësimit të drejtësisë dhe përparimit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Qëllimi i marrëveshjes është të sigurojë përkthim cilësor të dokumentacionit dhe legjislacionit të Bashkimit Europian, duke garantuar trajnim të vazhdueshëm për përkthyesit dhe ngritjen e një trupe profesionale të përgatitur.

“Përkthyesit janë një hallkë kyçe për garantimin e saktësisë dhe cilësisë së çdo akti ligjor që përkthehet dhe përshtatet për sistemin tonë juridik. Me këtë nismë, ne forcojmë administratën, rrisim standardet dhe ecim më të vendosur drejt Europës dhe shtetit të së drejtës,” – shprehu ministri Manja.

Continue Reading

Lajme Të Tjera

Prezantohet Raporti i Tranzicionit BERZH 2024–2025 , Sejko: Reformat dhe politikat industriale, shtylla të zhvillimit dhe integrimit në BE

Alma Gashi

Published

on

Guvernatori Bankës së Shqipërisë Genti Sejko

Më 28 maj 2025, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit 2024–2025 i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, theksoi se ky raport shënon hapjen e analizave ekonomike profesionale për vitin 2025. Ai vlerësoi prezantimin e raportit si një ngjarje të rëndësishme vjetore, që mbledh së bashku ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të institucioneve publike e private dhe aktorë kyç të industrisë financiare.

Raporti i këtij viti, me temën “Riformulimi i Politikave Industriale në një Peizazh Global që Ndryshon”, ofron një analizë të thelluar mbi një nga sfidat më dinamike të kohëve moderne. Ai vë në dukje kompleksitetin në rritje të politikave industriale dhe ringjalljen e tyre si instrument strategjik për të përballuar ndryshimet strukturore në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Sot, politikat industriale nuk shihen më vetëm si mbështetje për sektorët ekzistues, por si një levë për ndërtimin e ekonomive të diversifikuara dhe të bazuara në inovacion.

Në vijim, Guvernatori Sejko solli disa nga gjetjet e raportit në kontekstin shqiptar, duke theksuar se për më shumë se dy dekada, Shqipëria dhe rajoni kanë investuar në reforma strukturore që kanë forcuar institucionet, përmirësuar klimën e biznesit dhe ndërtuar një ekonomi të hapur dhe konkurruese. Ai nënvizoi se këto reforma kanë kontribuar në një rritje ekonomike mesatare prej 3.5–4% në vit gjatë pesë viteve të fundit, kanë ulur papunësinë në 11.3% në vitin 2024 dhe kanë nxitur një rritje të konsumit privat me 7%. Megjithatë, ai shtoi se këto reforma, ndonëse të domosdoshme, nuk mjaftojnë më për të përballuar sfidat e reja të zhvillimit.

“Banka qendrore nuk harton politika industriale, por kontribuon në to si garantuese e stabilitetit makroekonomik dhe financiar – kusht themelor për çdo zhvillim të qëndrueshëm. Sot, mund të themi se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet – PBB-ja u rrit me 4% në vitin 2024, inflacioni mbetet në 2%, kreditimi privat është rritur me 16,7%, dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin historik 4%. Kjo pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë të mbështesë sektorin real”, deklaroi Sejko.

Continue Reading

Lajme Të Tjera

Guvernatori Sejko zhvillon takim me Ambasadoren e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik

Alma Gashi

Published

on

Guvernatori Sejko dhe Ambasadroja Kasnyik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim kortezie me Ambasadoren e Hungarisë në Shqipëri, Sh.S.Zj. Martina Kasnyik.

Gjatë bisedës, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike mes Shqipërisë dhe Hungarisë, duke theksuar edhe bashkëpunimin e suksesshëm mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

Guvernatori Sejko e informoi Ambasadoren Kasnyik mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se ekonomia e vendit vijon të ndjekë një trend pozitiv dhe pritet të rritet me ritme të qëndrueshme. Ai shpjegoi se politikat ekonomike janë përqendruar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, përmes përshtatjes së qëndrimit të politikës monetare , një element thelbësor për garantimin e stabilitetit financiar.

Sa i përket sektorit bankar, Guvernatori theksoi se bankat në Shqipëri mbeten të mirëkapitalizuara, likuide dhe fitimprurëse, me një nivel të ulët të kredive me probleme. Ai shtoi se kjo performancë e qëndrueshme reflekton besimin në sistemin financiar dhe aftësinë e tij për të mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë.

Guvernatori Sejko theksoi kontributin pozitiv të sistemit bankar dhe të investimeve hungareze në këtë sektor, duke vlerësuar mbështetjen që ato kanë dhënë për iniciativat e Bankës së Shqipërisë dhe për rritjen ekonomike të vendit. Ai e cilësoi këtë prani si një “urë” lidhëse për investime dhe përvoja moderne evropiane në Shqipëri.

Në vijim, Guvernatori u ndal te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se mbështetja e vendeve anëtare të BE-së, si Hungaria, ka një rëndësi të veçantë për avancimin e këtij procesi dhe për arritjen e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ambasadorja Kasnyik theksoi se vijimi i reformave mbetet thelbësor për krijimin e një klime edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke shtuar se ka një interes në rritje nga investitorë hungarezë për sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Në përfundim të takimit, të dy palët ndanë të njëjtin qëndrim mbi potencialin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Hungarisë, veçanërisht në sektorin financiar dhe në nxitjen e investimeve të huaja në vend.

Continue Reading

Trending

Copyright © 2024 Ekonomi.al eshte nje magazine online me lajme nga Ekonomia, Biznesi, Marketingu, Evente etj. Lexoni lajmet e fundit nga ne Ekonomi.