Duke ngarkuar...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Delegacioni i Bankës Qendrore të Azerbajxhanit zhvillon vizitë në Bankën e Shqipërisë

Delegacioni i Bankës Qendrore të Azerbajxhanit zhvillon vizitë në Bankën e Shqipërisë

Më datat 9-11 prill 2025, një delegacion nga Banka Qendrore e Republikës së Azerbajxhanit, i kryesuar nga z. Anar Mukhtarov, Drejtor i Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë. Kjo vizitë, e iniciuar me kërkesë të palës azere, kishte si synim shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy institucioneve si dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme në sektorin bankar.

Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime pune dhe diskutime teknike me stafin e Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Bankën e Shqipërisë. Ndër temat kryesore të trajtuara ishin: roli i Bankës së Shqipërisë si Autoritet për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në kuadër të rrjetës së sigurisë financiare, ndërtimi i kuadrit ligjor dhe metodologjik për ndërhyrjet në Shqipëri, objektivat dhe planifikimi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme, forcimi i kapaciteteve të bankave në këtë fushë, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Banka e Shqipërisë shpreh gatishmërinë e saj për të vijuar me projekte bashkëpunimi në çdo fushë të veprimtarisë së saj.