Denaj : Marrëveshja me 4 bashki, hap drejt përmirësimit të shërbimeve dhe vendimmarrjes bujqësore
di Redazione
23/10/2024
Në kuadër të procesit të decentralizimit, sot u firmosën marrëveshje në sektorët e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë, në një ceremoni të organizuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, e mbajtur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, firmosi një marrëveshje të rëndësishme për decentralizimin e funksioneve në bujqësi me kryetarët e katër bashkive: Benet Beci i Shkodrës, Ervin Demo i Beratit, Erion Isai i Kolonjës dhe Josif Gorrea i Divjakës.
Marrëveshje për decentralizimin u nënshkruan gjithashtu në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, nga ministrat përgjegjës, Albana Koçiu dhe Ogerta Manastirliu, duke transferuar kompetenca nga niveli qendror në atë vendor.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj theksoi se ky proces ofron një mundësi për të avancuar një reformë të rëndësishme që ka filluar para një dekade, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, bujqit dhe blegtorët, përfshirë këshillimin nga ekspertët dhe mbështetjen veterinare.
"Shtimi i kompetencave të bashkive është një proces i domosdoshëm dhe i mirëpritur. Nuk bëhet fjalë vetëm për transferim buxhetesh apo personeli, por për një koordinim të gjerë të veprimeve për të ofruar shërbime më cilësore dhe për të përmirësuar vendimmarrjen," tha Denaj.
Ajo vuri në dukje se kërkesat për përmirësime në sistemin e ujitjes dhe kullimit janë të larta, ndaj pjesë e marrëveshjes është koordinimi i veprimeve për ndërhyrje në këto sisteme. Kjo do të sigurojë tokë të përdorshme për fermerët dhe rritje të prodhimit, duke synuar objektivin për eksporte në vlerë prej 1 milion dollarësh deri në vitin 2030.
Denaj shprehu falënderime për kryetarët e bashkive për kontributin e tyre në implementimin e Skemës Kombëtare të Investimeve, duke bashkëpunuar ngushtë me fermerët dhe blegtorët.
Projekti pilot që do të zhvillohet në Shkodër, Berat, Divjakë dhe Kolonjë synon të testojë modele të reja për decentralizimin dhe riorganizimin e shërbimeve bujqësore.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane