Dobësimi i euros ndikon negativisht buxhetin, të ardhurat nga TVSH bien
nga Redaksia
Monedha evropiane, nga 103.88 lekë që këmbehej në fund të vitit 2023, aktualisht tregtohet me 100 lekë, duke rënë me afërsisht 4%. Ndërsa krahasuar me vitin 2022, euro është zhvlerësuar me mbi 15%.
Normaliteti i ri i kursit të këmbimit, me euron që këmbehet me 100 lekë, ka sjellë pasoja në buxhetin e shtetit. Të ardhurat e planifikuara nuk u arritën vitin e kaluar dhe plani nuk po përmbushet as këtë vit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Zhvlerësimi i euros ka ndikuar negativisht edhe në të ardhurat e shtetit, pasi janë mbledhur më pak fonde se sa ishte planifikuar.
Ministria e Financave ka pranuar këtë fakt, duke shpjeguar se të ardhurat nga TVSH-ja nuk janë realizuar, për shkak të forcimit të lekut dhe rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Efekti i zhvlerësimit të euros është prezent edhe në treguesit e këtij viti. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat nga TVSH-ja nuk janë realizuar sipas planit.
Nga janari në qershor u mblodhën 102.7 miliardë lekë, edhe pse në rritje krahasuar me vitin e kaluar, kjo vlerë është 251 milionë lekë më pak se plani i Ministrisë së Financave.
Gjatë vitit 2023, të ardhurat nga TVSH-ja në import arritën në 146.4 miliardë lekë, duke qenë 6.7% më pak se plani për vitin dhe 10.5 miliardë lekë më pak se në vitin 2022.
Në buxhetin faktik të vitit 2023, Ministria e Financave thekson se të ardhurat ishin planifikuar bazuar në kursin e këmbimit prej 1 euro = 120 lekë, dhe zhvlerësimi i euros ka ulur të ardhurat në buxhet.
“Gjatë vitit 2023 ka pasur një devijim të dukshëm në ulje nga ky kurs këmbimi i projektuar, që ka ndikuar ndjeshëm të ardhurat nga TVSH-ja në import," thuhet në raportin e zbatimit të buxhetit për vitin 2023.
Baza mbi të cilën llogaritet TVSH-ja në import është ndikuar jo vetëm nga rënia e çmimeve të mallrave të importuara në 2023 krahasuar me rritjen e tyre në 2022, por edhe nga ulja e vlerës mbi të cilën llogaritet TVSH-ja për shkak të kursit të këmbimit, thuhet në raportin e zbatimit të buxhetit të vitit 2023.
Artikulli i Mëparshëm
Kredia e re për ekonominë përjetoi një rritje prej 30% në gjysmën e parë të vitit.