Duke ngarkuar...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Enkelejd Musabelliu, nga sot Zv. Ministër i MEKI

Enkelejd Musabelliu, nga sot Zv. Ministër i MEKI

Enkelejd Musabelliu është emëruar sot Zëvendësministër i Ministrisë së Edukimit, Kulturës dhe Sportit (MEKI). Ai është një ekonomist politik me një eksperiencë të gjerë në çështjet e zhvillimit ekonomik, planifikimit strategjik dhe politikave sociale.

Musabelliu ka një përvojë të rëndësishme në sektorin publik, duke kontribuar si në institucionet qendrore ashtu edhe në pushtetin lokal. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të disa institucioneve publike, duke dëshmuar angazhimin e tij për përmirësimin e shërbimeve publike.

Gjatë periudhës 2018-2024, ai ka punuar si konsulent me një sërë organizatash ndërkombëtare dhe institucione publike, me fokus të veçantë në planifikimin strategjik dhe forcimin e pushtetit vendor. Po ashtu, ai ka ofruar ekspertizën e tij në sektorin privat, duke u angazhuar në studime fizibiliteti dhe projekte investimesh në energjitikë, turizëm dhe infrastrukturë.

Nga viti 2015 deri në vitin 2018, Musabelliu ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Ekonomik pranë Bashkisë Tiranë, duke u përgjigjur për zhvillimin ekonomik vendor, zhvillimin rural, menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe ngritjen e sistemit të statistikave.

Në periudhën 2013-2015, ai ka mbajtur pozicionin e Këshilltarit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke kontribuar kryesisht në reformën e pensioneve të vitit 2014.

Enkelejd Musabelliu është diplomuar në Filozofi pranë Universitetit të Tiranës dhe ka përfunduar studimet në Ekonomi Politike Europiane pranë London School of Economics në Mbretërinë e Bashkuar. Me njohuritë dhe eksperiencën e tij, ai pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në politikat e edukimit dhe kulturës në Shqipëri.