Genti Sejko, me gazetarë dhe analistë në kuadër të aktivitetit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë 2024"
di Redazione
16/12/2024
Në datën 16 dhjetor 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, organizoi një takim me publicistë, analistë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të medias në Shqipëri. Ky takim, tashmë një traditë, mbledh opinionbërës dhe influencues të mendimit publik për të kaluar disa momente së bashku, duke zhvilluar gjithashtu aktivitetin e shpërndarjes së çmimit të Guvernatorit për punimin më të mirë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen dhe vlerësoi përpjekjet e tyre për të pasqyruar me realizëm dhe vërtetësi aktivitetet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2024, përfshirë vendimmarrjen e saj në fushën e politikës monetare.
“Përmes punës tuaj, Banka e Shqipërisë ka mundur të komunikojë me publikun vendimmarrjen e saj në fushën e politikës monetare dhe të stabilitetit financiar, të njoftojë ndryshimet rregullative dhe të rejat më të fundit në fushën e mbikëqyrjes bankare, sistemit të pagesave, edukimit e përfshirjes financiare dhe asaj digjitale financiare. Profesionalizmi juaj na ka mundësuar një komunikim efektiv, duke ndihmuar transmetimin e politikave tona në ekonomi, e rrjedhimisht, në ruajtjen e stabilitetin e çmimeve, atij të sektorit financiar dhe të stabilitetit makroekonomik të vendit në përgjithësi.”- shprehu Guvernatori.
Guvernatori theksoi se zhvillimet e reja teknologjike dhe pasiguritë globale e bëjnë komunikimin e bankave qendrore me publikun edhe më të rëndësishëm. Për Shqipërinë, ky komunikim ka një rëndësi të shtuar, sidomos kur individët përballen me nivele të pamjaftueshme të kulturës financiare, veçanërisht në aspektin digjital. Megjithatë, falë punës dhe bashkëpunimit të ngushtë me mediat, banka qendrore ka arritur të komunikojë qëndrimet dhe pasojat e pritshme të politikave të saj, duke pasqyruar të vërtetën dhe eliminuar çdo keqinterpretim apo devijim.
Siç është bërë traditë, gjatë aktivitetit u vlerësuan tre fituesit e "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2024", një konkurs i organizuar nga Banka e Shqipërisë prej 18 vjetësh. Ky konkurs fton studentët shqiptarë nga e gjithë bota të prezantojnë punimet e tyre në fushën e ekonomisë dhe financës. Këtë vit, morën pjesë 24 studentë nga nivele të ndryshme studimore. Temat e trajtuara përfshinin objektivat dhe politikat tradicionale të bankave qendrore, si dhe çështje që kanë dominuar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2024, përfshirë ndikimet e ndryshimeve klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të popullatës, dhe sistemet e pagesave.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane