Guvernatori Sejko mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Banka Popullore Qëndrore e Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti Bretton Woods
di Redazione
02/10/2024
Në datën 1 tetor 2024, Guvernatori Sejko mori pjesë në “Konferencën e nivelit të lartë” të organizuar nga “Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut” dhe “Komiteti Bretton Woods”, me temën “Bankat qendrore dhe bankingu qendror në një botë shumë komplekse: Demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë”, e cila u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Konferenca u hap nga Guvernatorja e “Banka Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, zj. Anita Angelovska Bezhoska, Drejtori Ekzekutiv i “Komitetit të Bretton Woods”, z. Marc Uzan, si dhe Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Gordana Siljanovska Davkova.
Ky eveniment ishte i organizuar në disa panele, ku u diskutuan çështje si: pavarësia e bankave qendrore si një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë moderne politike; perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore; financat përfshirëse gjinore në rajonin e EJL-së; dhe vlerësimi i episodit të fundit të krizës dhe mësimet e nxjerra prej saj.
Konferenca mblodhi folës të nderuar nga institucione financiare ndërkombëtare dhe akademike, përfshirë: z. Boris Vujčić, Guvernator i “Banka Kombëtare të Kroacisë”, z. Boštjan Vasle, Guvernator i “Bankës së Sllovenisë”, zj. Jorgovanka Tabaković, Guvernatore e “Banka Kombëtare të Serbisë”, zj. Irena Radović, Guvernatore e “Bankës Qendrore të Malit të Zi”, zj. Jasmina Selimović, Guvernatore e “Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës”, z. Ahmet Ismaili, Guvernator i “Banka Qendrore të Republikës së Kosovës”, dhe zj. Anca Dragu, Guvernatore e “Banka Kombëtare të Moldavisë”.
Gjatë kësaj konference, Guvernatori Sejko mori pjesë në panelin me temë “Perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore dhe kompromiset e politikave”, ku u trajtuan sfidat e reja në këtë fushë dhe ndërveprimi i tyre me objektivat e bankave qendrore.
Gjatë panelit, Guvernatori prezantoi progresin e bërë nga “Banka e Shqipërisë” në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fushat si mbikëqyrja bankare dhe sistemet e pagesave. Ai theksoi reformat dhe iniciativat e ndërmarra nga “Banka e Shqipërisë” për zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave, me qëllim përafrimin e mëtejshëm me sistemin e pagesave të Eurozonës (SEPA).
Guvernatori Sejko nënvizoi se vitet e fundit, bankat qendrore kanë marrë përgjegjësi që shtrihen përtej fokusit të tyre tradicional në politikën monetare. Ndryshimet klimatike, në veçanti, janë bërë një shqetësim i rëndësishëm, pasi paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë ekonomike.
"Jetojmë në një botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida, të cilat janë njëkohësisht komplekse dhe të ndërlidhura. Përparimi i shpejtë në teknologjinë financiare dhe bankingun digjital, ndryshimet klimatike, tendencat e rënduara demografike, si dhe një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më i ndërlikuar, po vë në provë ekonomitë, shoqëritë dhe paradigmat mbizotëruese të politikave tona. Si bankierë qendrorë nuk mund të qëndrojmë mospërfillës ndaj këtyre sfidave. Ato paraqesin problem serioz për mandatet tona dhe kuadrin e politikave që ndjekim."
Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori theksoi se bankat qendrore, përballë sfidave në rritje nga revolucionet teknologjike dhe risitë financiare të vazhdueshme, duhet të rishikojnë në mënyrë të vazhdueshme praktikat aktuale dhe të adaptohen me realitetin e ri.

Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane