Hasani: Shqipëria e përkushtuar të vazhdojë kontributin e saj në luftën ndaj ISIS-it
nga Redaksia
Më 30 Shtator 2024, në Washington D.C., u zhvillua Takimi i Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global Kundër ISIS. Në këtë ngjarje, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe kontributin e saj në këtë koalicion. Ai konfirmoi angazhimin e vendit tonë për të vazhduar si një partner i përkushtuar në mbështetje të misionit të koalicionit për luftimin e ISIS.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të kontribuar aktivisht në luftën kundër ISIS-it dhe promovimin e shoqërive të hapura dhe harmonike ndërfetare”, shprehu ai.
Ky takim shërbeu për të forcuar angazhimet e përbashkëta dhe për të siguruar që çdo vend të ketë një rol aktiv në përballjen me sfidat që paraqet terrorizmi. Shqipëria, përmes politikave të saj, dëshmon se është e angazhuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Në Deklaratën e përbashkët të miratuar në Takim, i cili shënoi 10-vjetorin e Koalicionit, partnerët u thirrën të tërheqin shtetasit e tyre që aktualisht ndodhen në kampet e Al-Hojit dhe Rojit. Po ashtu, u theksua nevoja për të vazhduar mbështetje për forcat e sigurisë në Irak, përmes angazhimeve të vazhdueshme në Misionin e NATO-s (NMI).
Artikulli i Mëparshëm
Takimi i Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor zhvillohet në Berlin