Java Globale e Parasë 2025 , Sejko : Të sfidoni veten dhe të mendoni për të ardhmen tuaj financiare
di Redazione
17/03/2025
Në 17 mars 2025, në lokalin e Bankës së Shqipërisë, do të fillojë Java Globale e Parasë, një ngjarje që do të përfshijë aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese të ndryshme. Kjo festë mbarëbotërore e kushtohet parasë dhe synon të lidhë institucione publike dhe private, si dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim të promovimit të edukimit financiar, veçanërisht për brezat e rinj. Theksi i veçantë i kësaj nisme është bashkimi i forcave dhe angazhimi i përbashkët për një qëllim të përbashkët: përgatitjen e një shoqerie më të ndërgjegjshme financiarisht.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e veçantë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe të partnerëve të tjerë, ka organizuar gjatë viteve aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese të drejtuara për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe studentët e universiteteve.
Guvernatori vuri në dukje se viti 2025 ka një rëndësi të veçantë historike për Shqipërinë, pasi shënon 100-vjetorin e themelimit të Bankës së Shqipërisë. Ky moment unik është një rast për të reflektuar mbi rrugëtimin ekonomik dhe financiar të vendit.
Themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipnisë në vitin 1925 hapi një kapitull të ri në sistemin financiar shqiptar, duke vendosur themelet e monedhës kombëtare dhe duke siguruar stabilitet në sistemin e pagesave.
Një kuptim i thellë i historisë financiare të vendit dhe i rolit të Bankës së Shqipërisë do t’i ndihmojë të rinjtë të marrin vendime të informuara në menaxhimin e financave personale dhe të kontribuojnë si qytetarë aktivë në ndërtimin e një ekonomie kombëtare më të fuqishme.
“Ju inkurajoj të gjithëve të përfshiheni aktivisht, të mësoni, të sfidoni veten dhe të mendoni për të ardhmen tuaj financiare. Njohuritë që do të fitoni sot mund të jenë themeli i sigurisë dhe suksesit tuaj nesër. E ardhmja financiare e Shqipërisë fillon me vendimet që marrim sot, dhe ju, të rinjtë, jeni protagonistët kryesorë të saj.” – theksoj Guvernatori Sejko.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane