Këshilli Tatimor mblidhet nën drejtimin e Ministrit Malaj për të prezantuar Strategjinë e Të Ardhurave 2024-2027
di Redazione
30/09/2024
Nën drejtimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, u zhvillua një mbledhje e Këshillit Tatimor për të prezantuar dhe diskutuar draftin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 2024-2027, si pjesë e procesit të konsultimit publik.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se drafti i Strategjisë ishte konsultuar dhe miratuar me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai e përshkroi këtë si një kusht të nevojshëm që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian “Faciliteti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” (Growth Plan).
Ministri i Financave nënvizoi se strategjia nuk planifikon ndryshime në normat tatimore dhe siguron stabilitet fiskal për tatimpaguesit, ndërsa ka si qëllim kryesor rritjen e nivelit të mbledhjes së të ardhurave përmes menaxhimit të efektshëm fiskal.
“Nëpërmjet kësaj strategjie ne parashikojmë rritjen e të ardhurave me rreth 65 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027 ose 2.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto krahasuar me vitin 2019, ku peshën kryesore e kanë masat që do të merren nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor”, tha z. Malaj.
Në vazhdim, Ministri theksoi se draft strategjia mbështetet në tre shtylla kryesore, një nga të cilat fokusohet në rishikimin e politikës tatimore, me theks të veçantë në rishikimin e përjashtimeve dhe normave të reduktuara për tatimet direkte dhe indirekte.
Nga kjo shtyllë, z. Malaj deklaroi se pritet një rritje e të ardhurave tatimore prej rreth 9 miliardë lekësh deri në fund të vitit 2027.
Shtylla e dytë e strategjisë ka të bëjë me mirëadministrimin tatimor, e cila parashikon një rritje të të ardhurave tatimore me 51 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027.
Ministri theksoi se disa nga komponentët kryesorë të kësaj shtylle përfshijnë reduktimin e punës së padeklaruar, uljen e nëndeklarimit të pagës reale, si dhe zvogëlimin e pagesave në cash në ekonomi.
“Komponent kryesor i kësaj shtylle është edhe dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që të rrisim deklarimet si dhe të ulim informalitetin. Normalisht nëpërmjet këtyre instrumenteve ne do të rrisim edhe profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësohet investigimi i rasteve të shmangies tatimore”, shtoj z. Malaj.
Sa i përket shtyllës së tretë, e cila përqendrohet në mirëadministrimin doganor, Ministri theksoi se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi i sistemeve të IT-së, në mënyrë që administrata doganore të ketë mundësinë për të realizuar një profilizim më të detajuar të riskut për subjektet tatimpaguese, si dhe të rrisë zhvillimin analitik të të dhënave të tyre për të siguruar një rritje të qëndrueshme në mbledhjen e të ardhurave doganore.
Mbledhja e Këshillit Tatimor vazhdoi me një prezantim të detajuar të draftit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit për periudhën 2024-2027, e më pas me diskutime nga anëtarët e Këshillit.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane