Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave aprovoi dy projektvendime dhe shqyrtoi një projektligj

Redazione Avatar

di Redazione

18/02/2025

TITOLO

Në kryesimin e z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi një projektligj dhe dy projektvendime të lidhura me aktivitetin e Institutit të Statistikave.

Pasi miratuan procesverbalet e mbledhjeve të mëparshme, komisioni kaloi në shqyrtimin e projektvendimeve.“Për miratimin e planit vjetor 2025 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026” dhe “Për miratimin e strukturës, organikës të Institutit të Statistikave, INSTAT”

Në mbledhjen e komisionit, të ftuar ishin Drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Statistikave, znj. Elsa Dhuli, së bashku me stafin teknik të INSTAT dhe Ministrisë së Financave.

Fillimisht, znj. Dhuli paraqiti një përmbledhje të planit vjetor të INSTAT për vitin 2025, duke theksuar aktivitetet e planifikuara dhe duke u fokusuar te objektivi kryesor i INSTAT për rritjen e numrit të të dhënave të raportuara në Eurostat dhe rritjen e nivelit të të dhënave të publikuara nga institucioni. Ajo sqaroi se numri i të dhënave të transmetuara në Eurostat ka arritur në 7 milionë, me një synim për t’i rritur ato me 10% gjatë këtij viti. "Në raportin më të fundit nga Eurostat, numri i data point ka arritur në 7 milionë, që ka kaluar pritshmëritë dhe planet tona për 2025, por ende synojmë një rritje tjetër prej 10% të këtyre informacioneve", shpjegoi znj. Dhuli. Ajo shtoi gjithashtu se për vitin 2025, Sistemi Kombëtar Statistikor do të përfshijë 113 aktivitete statistikor, nga të cilat 100 do të realizohen nga INSTAT, 9 nga BSH, 2 nga MF dhe 2 nga AKBN.

Në lidhje me projektvendimin për rishikimin e strukturës dhe organikës së institucionit, znj. Dhuli paraqiti kërkesën për 24 punonjës shtesë, të cilët janë të parashikuar në buxhetin e INSTAT. Ajo theksoi se këta punonjës do të kontribuonin në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në përmbushjen e detyrimeve të reja që vijnë nga zhvillimet teknologjike, aktivitetet e reja dhe përmirësimet metodologjike, në përputhje me standardet e kërkuara nga rregulloret e BE.

Deputetja znj. Milva Ekonomi, në cilësinë e relatores, vlerësoi punën e deritanishme të INSTAT dhe planifikimin e vitit 2025 për rritjen e transparencës dhe besueshmërinë e publikut ndaj statistikave zyrtare, duke mbështetur kërkesat për ndryshime strukturore. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi dy projektvendimet dhe vendosi t'i kalonte për shqyrtim në seancën plenare të radhës.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2014, 'Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit'", i cili u prezantua nga znj. Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave. Ajo u ndal në nevojën e ndryshimeve ligjore, risive dhe nënvizoi se projektligji synon përmirësimin e kuadrit ligjor në tregun e sigurimeve.

Znj. Xhemali theksoi se ndryshimet ligjore synojnë adresimin e rekomandimeve të lëna nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) në kuadër të procesit të vlerësimit të përputhshmërisë së standardeve dhe praktikave të AMF-së me parimet themelore në sigurime (ICP). Projektligji gjithashtu synon forcimin e organeve drejtuese dhe funksioneve kryesore të shoqërive të sigurimit përmes rishikimit të kërkesave për përshtatshmëri dhe aftësi në tri aspekte kyçe: integriteti, aftësitë profesionale dhe financiare; garantimin e një niveli të uniformuar dhe të zgjeruar të mbrojtjes së konsumatorëve përmes rishikimit të kërkesave për informim dhe transparencë, etj.

Deputetja znj. Pranvera Resulaj, në cilësinë e relatores, vlerësoi rëndësinë e projektligjit për zgjidhjen e disa problematikave të hasura në legjislacion dhe adresimin e nevojave që kanë lindur për shkak të detyrimit për përafrimin me legjislacionin europian. Shqyrtimi i projektligjit do të vijojë në mbledhjet e ardhshme të komisionit.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane