Aplikimi për Vjosën në UNESCO , përfundon Kumbaro: Jemi krenarë për angazhimin e gjithsecilit, një kontribut i madh nga shoqëria shqiptare
di Redazione
01/10/2024
Përgatitja e dosjes për përfshirjen e Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në UNESCO, në programin “Njeriu dhe Biosfera”, ka përfunduar. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nënshkroi dosjen që do të dërgohet në UNESCO, një punë e rëndësishme e realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me ekspertët e Unionit Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Vjosa do të kategorizohet në kategorinë e re “Njeriu dhe Biosfera”, një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë të IUCN dhe UNESCO, dosjen e kanë bërë gati. Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertët e UNESCO në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re për të rritur emrin e vet, për të përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte të reja për secilën nga zonat që shtrihen në Pellgun e Vjosës. Jemi shumë krenarë për punën që kemi bërë gjithë këto vite për Vjosën ku secili nga aktorët e shoqërisë shqiptare ka luajtur një kontribut shumë të rëndësishëm, nga shoqëria civile deri tek ata që janë njerëzit e Vjosës dhe e kanë ruajtur e mbrojtur në shekuj”, deklaroi ministrja Kumbaro përmes një videomesazhi.
Shtatori shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa, me miratimin e Planit të Integruar të Menaxhimit. Ky është rezultati i një pune intensive mes ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, përfshirë konsultime publike të shumta në të gjithë territorin, diskutime, trajnime dhe ekspertiza. Në të njëjtën kohë, ka vazhduar puna për të përgatitur projektin e Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar Vjosa, i cili do të fillojë të realizohet brenda vitit.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane