Laguna e Karavastasë: FSHZH angazhohet me kontratë prej 1.45 milionë eurosh
di Redazione
02/08/2024
Laguna e Karavastasë ndodhet në qendër të Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë dhe bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës. Ajo është laguna më e madhe në Shqipëri dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, e përbërë nga një lagunë e brendshme dhe një lagunë e jashtme më e vogël. Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik.Laguna e Karavastasë dhe Parku Natyror i saj janë ndër destinacionet më të frekuentuara nga vizitorët. Deri në maj, ky park mbajti 37 për qind të peshës totale të vizitorëve që frekuentuan Parqet Natyrore.
Një pjesë e Lagunës së Karavastasë, e cila është një destinacion i njohur për turistët, do të ketë ndërhyrje për mbrojtjen nga erozioni. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar lidhjen e një kontrate me vlerën 1.45 milionë euro, përfshirë TVSH, që ka si objekt "Ndërhyrje për ngritjen e modeleve të qëndrueshme SMECO në fshatra me potencial zhvillimi: Sistemimi dhe mbrojtja e argjinaturës veriore të lagunës së Karavastasë prej erozionit". Kompania fituese, Alba Konstruksion, do të ketë 12 muaj kohë për të zbatuar fazën e parë të këtij projekti.
FSHZH thekson se kurora e argjinaturës do të shërbejë si atraksion turistik për vizitorët. Projekti synon të përmirësojë argjinaturën në anën veriore të lagunës, nga CS–1 deri te CS-67, gjithsej 3785 metra, dhe të marrë masa për mbrojtjen e saj nga erozioni i shkaktuar nga dallgët dhe baticat, si dhe nga rrebeshet e shiut.
Duke qenë një zonë e mbrojtur, materialet që do të përdoren për mbrojtjen e argjinaturës do të jenë miqësore me mjedisin. Kurora e argjinaturës do të shërbejë si atraksion turistik ku këmbësorët mund të ecin dhe të shijojnë bukuritë natyrore të lagunës. Mbi argjinaturë do të ndërtohen tre tenda pushimi dhe vrojtimi me material druri, si dhe tre ura po me material druri, që lidhin argjinaturat në pjesët ku përrenjtë dhe kanalet e kullimit hyjnë në lagunë.
Articolo Precedente
Wizz Air fillon operacionet ajrore nga Tirana në Salerno
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane