Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë gati në 2025, do të ketë dhe përdorime ushtarake

Redazione Avatar

di Redazione

04/06/2024

TITOLO

Projekti, rruga që do të ndjekë dhe kostoja e tij do të bëhen të ditura në shkurt të vitit të ardhshëm, kur pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit i financuar nga dy qeveritë.

“Një nga projektet strategjike për të cilin dy qeveritë kanë investuar është në një fazë të avancuar të studimit të fizibilitetit, i cili do të përfundojë në shkurt të vitit 2025,” tha zëvendësministrja e Infrastrukturës, Enkelejda Muçaj.

Hekurudha që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit. Varianti i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Kosovës Liburn Aliu, parashikon që hekurudha të kalojë nga Durrësi në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë. Kjo linjë do të jetë pjesërisht e ndërtuar, me pjesën Durrës-Vorë që do të ndërtohet, ndërsa pjesa nga Vora në Shkodër do të jetë pjesë e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Muçaj theksoi se hekurudha do të shërbejë jo vetëm për transport mallrash e udhëtarësh, por edhe për qëllime ushtarake, duke ndihmuar mobilitetin ushtarak në rast nevoje dhe lidhjen me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Prishtinën.

Punimet për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit do të nisin në janar të vitit të ardhshëm. “Brenda dhjetorit 2024 përfundojnë procedurat e tenderimit, në janar do të nënshkruhet kontrata dhe nis zbatimi i projektit,” tha Muçaj. Kjo hekurudhë është pjesë e planit ekonomik dhe investimeve për Ballkanin Perëndimor të ndërmarrë nga Komisioni Evropian.

Në total, hekurudha do të kushtojë afërsisht 373 milionë euro, me 98.7 milionë euro kredi nga BERZH, 130 milionë euro grant nga BE dhe pjesën tjetër financim nga shteti. Po ashtu, është siguruar 50% e financimit për linjën Durrës-Rrogozhinë, me një grant prej 60.5 milionë euro nga BE, ndërsa vlera e investimit është 120 milionë euro.

Muçaj njoftoi se projekti paraprak për linjën Rrogozhinë-Pogradec do të publikohet në gusht. “Projekti inxhinierik për segmentin Rrogozhinë-Pogradec është duke përfunduar dhe po diskutojmë me Maqedoninë e Veriut për të pasur pikën e lidhjes, pa cënuar zonën e mbrojtur të liqenit të Ohrit,” shtoi ajo. Ky segment pritet të financohet nga BEI dhe BERZH.

Dy linjat e para, Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë, kushtojnë afërsisht 493 milionë euro dhe financohen kryesisht nga institucionet ndërkombëtare për shkak të rëndësisë së tyre në lidhjen rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin me tregjet e BE-së.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane