Manastirliu: Forcimi i bashkëpunimit mes shkollës dhe komunitetit përmes 500 shkollave si Qendra Komunitare për të luftuar fenomenet negative.
di Redazione
01/10/2024
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare me temën “Shkolla Qendër Komunitare – Modeli Shumaktor për Komunitete të Qëndrueshme në Shqipëri”.
Ky aktivitet i rëndësishëm bashkoi aktorë kyç nga fushat e arsimit dhe sigurisë. Të pranishëm ishin Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, e ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy VanHorn, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, Drejtori i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Sotiraq Hroni.
Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e zgjerimit të kësaj nisme dhe përputhjen e saj me objektivat strategjikë të qeverisë shqiptare, duke përfshirë strategjitë kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e sigurisë publike.
“Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka një rëndësi shumë të madhe Programi ‘Shkollat Qendër Komunitare’, shkolla të hapura që mund të aksesohen edhe jashtë orarit mësimor, shkolla që përtej arsimimit kanë në fokus edukimin e brezave të rinj dhe mbështetjen për çdo nxënës. Ndaj shkollat si qendra komunitare janë sot mbi 500 në të gjithë vendin, ku në 30 prej tyre organizohet edhe ky aktivitet që koordinohet nga Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Jam e bindur që me mbështetjen e të gjithëve ky model i suksesshëm do të shtrihet në të gjitha shkollat tona, sepse kemi nevojë për të fuqizuar marrëdhëniet mes shkollës dhe komunitetit në luftën kundër fenomeneve negative.”, shprehu Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja shtoi se po punohet për rishikimin e kurrikulës mësimore, në mënyrë që lënda e Edukimit Qytetar të pasurohet me module të reja dhe të riorientohet dhe gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe ngritjes së mekanizmave mbrojtës për nxënësit, të cilët kanë dhënë rezultate pozitive në uljen e incidenteve në shkollat tona.
“Numri i incidenteve në shkolla ka ardhur duke u ulur. Për vitin 2023-2024 janë raportuar rreth 742 raste me pak, në krahasim me një vit më parë, çka tregon se mekanizmat e ngritur janë funksionalë dhe bashkëpunimi ka luajtur një rol të rëndësishëm,”-shtoj ajo.
Konferenca u mbyll me angazhimin e përbashkët të institucioneve për të vazhduar dhe zgjeruar këtë model në shkolla të tjera në të gjithë vendin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të arritur objektivat e qëndrueshmërisë dhe sigurisë kombëtare.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane