Manastirliu nga "Martin Camaj": Risi për Shkodrën me 10 laboratorë inteligjentë në shkolla këtë vit
di Redazione
25/10/2024
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vizitoi shkollën “Martin Camaj” në Shkodër për të parë nga afër funksionimin e laboratorit të ri Smart, pjesë e një projekti kombëtar për futjen e teknologjisë në arsimin parauniversitar.
Shkolla “Martin Camaj” është ndër 200 shkollat që së fundmi janë pajisur me këto laboratorë inovativë, duke u ofruar nxënësve mundësinë të përvetësojnë njohuri të hershme digjitale përmes programeve edukative dhe kreative.
“Laboratori i ri SMART tashmë shërben jo vetëm për lëndën e TIK-ut, por edhe për lëndë të tjera. Në Shkodër, ne kemi bërë të mundur që tashmë në 10 shkolla të kemi 10 laboratorë Smart. Në të gjithë Shqipërinë janë 216 laboratorë inteligjentë të instaluar në shkolla. Do të vijojmë me këto investime, sepse vitet e ardhshme synojmë të kemi edhe 654 laboratorë që do të pajisin shkollat tona në gjithë vendin, qoftë për nivelin 9-vjeçar, qoftë ato të mesëm, por dhe do të orientojnë drejt edhe modernizimin e kurrikulës tonë, ku TIK-u tashmë është lëndë integrale qoftë te shkencat, por edhe te ato shoqërore,”-shprehu Manastirliu
Laboratori i ri në këtë shkollë përmban 14 laptopë, të cilët shërbejnë për 51 nxënës të klasave të para dhe të dyta, duke i ndihmuar të marrin bazat e para në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Ministrja Manastirliu vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes së njohurive digjitale edhe në lëndë të tjera shkollore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi gjithashtu se në qytetin e Shkodrës po realizohen investime të rëndësishme në fushën e arsimit, duke u përqendruar kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
“Në Shkodër, jemi duke investuar në sektorin e arsimit, përsa i përket infrastrukturës shkollore, ku tashmë dy shkolla janë pjesë e planit të buxhetit për këtë vit, shkolla ‘Ndre Mjeda’ dhe shkolla ‘Kolë Idromeno’, ku si pjesë e programit të përmirësimit të infrastrukturës shkollore këto shkolla do të ofrojnë standarde shumë të larta.”
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane