Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Manastirliu prezanton planin për Universitetin e Korçës: Një model për rajonin

Redazione Avatar

di Redazione

07/10/2024

TITOLO


Grupi i ekspertëve akademikë nga diaspora prezantoi një plan zhvillimor për profilizimin e Universitetit të Korçës (UNIKO).

Korçë, 5 Tetor – Universiteti i Korçës (UNIKO) ka nisur një proces të ri transformimi në përputhje me një plan zhvillimor për modernizimin dhe profilizimin e tij, i hartuar nga tre ekspertë akademikë nga diaspora. Ky projekt ambicioz i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), me mbështetjen e AADF, ka si qëllim të shndërrojë universitetin në një qendër rajonale të ekselencës dhe kërkimit shkencor deri në vitin 2030.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të këtij plani, nënvizoi rëndësinë e tij për profilizimin dhe ndërkombëtarizimin e UNIKO-s, duke e bërë atë një model për universitetet e tjera rajonale.

“Sot hapim një faqe të re për Universitetin e Korçës. Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 të realizojmë të gjithë objektivat për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit, pa i hequr asgjë vlerave ekzistuese, por duke i rritur ato përmes mbështetjes që qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të japin. Ne duam që të rivitalizojmë universitetet rajonale, me qëllim që strategjia “S3” (Smart Specialization Strategy) që shumë shpejt miratohet, e cila ka në fokus zhvillimin e ekosistemit të arsimit me fokus arsimin e lartë, përmban ato objektiva që sot i shohim të pasqyruara në këtë plan strategjik të UNIKO. Kështu, Universiteti i Korçës bëhet piloti i parë në transformimin e universiteteve rajonale në funksion të profilizimit dhe të ndërkombëtarizimit”, shprehu Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Prej një viti, tre akademikë të njohur shqiptarë nga diaspora, Dritan Agalliu (Ph.D. në Columbia University), Mirjeta Beqiri (Ph.D. në Gonzaga University) dhe Labtona Sado (Ph.D. në Universita Roma Tre), janë angazhuar në hartimin e planit për transformimin e Universitetit të Korçës. Ata nënvizuan se universiteti ka potencial të madh për të kontribuar në fushat e bujqësisë, teknologjisë, turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Sipas tyre, për realizimin e këtij plani është e nevojshme të ndiqen pesë pika kyçe: fuqizimi i individëve, rritja e cilësisë së kërkimit, arsimi për të ardhmen e rajonit, ndërkombëtarizimi dhe zhvillimi i kërkimit ndërdisiplinor.

Ministrja Manastirliu theksoi se një model i suksesshëm drejt zhvillimit dhe ndërkombëtarizimit është edhe ai i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

“Ne arritëm një marrëveshje fantastike me Universitetin Boku të Vjenës dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku i kemi mbështetur me 2 milion euro për planin e transformimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës nën udhëheqjen e Universitetit Boku të Vjenës. Është parashikuar të ketë jo vetëm shkëmbime të stafeve, studentëve, mbështetje për doktoraturat, për ciklin e dytë të studimeve Master, ku do të kemi bashkëudhëheqje me pedagogët e Universitetit Boku të Vjenës, dhe gjithashtu mbështetje për zhvillimin e njësive të kërkimit shkencor në këtë universitet. Pra, e kemi një model që mund ta aplikojmë edhe për Universitetin e Korçës”, tha githashtu Manastirliu.

Në vazhdim të përpjekjeve për modernizimin e sektorit të arsimit dhe kërkimit në Shqipëri, qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar bazën ligjore të kërkimit shkencor. Një nga nismat kryesore është projektligji i ri për shkencën dhe kërkimin shkencor, i cili ka si qëllim të krijojë më shumë mundësi për investime në këtë fushë, si dhe të inkurajojë bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe zhvillimin e shkencës së hapur.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane