Duke ngarkuar...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Marrja e kredive për banesa vështirsohen, shtrëngohen kriteret për huatë konsumatore

Marrja e kredive për banesa vështirsohen, shtrëngohen kriteret për huatë konsumatore


Të marrësh kredi bankare për të blerë një banesë është bërë më sfiduese, dhe pritet që kjo tendencë të vazhdojë gjatë vitit. Standardet e kreditimit për individët janë shtrënguar disi në tremujorin e dytë të vitit, një zhvillim ky i nxitur kryesisht nga një bankë e vetme në sistem.

Shtrëngimi i standardeve është vërejtur si në kreditë konsumatore, ashtu edhe në ato për blerjen e banesave. Faktorët kryesorë për këtë shtrëngim përfshijnë perceptimin e rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësve, zhvillimet aktuale dhe të pritshme në tregun e banesave, dhe kufizimet nga pozicioni i likuiditetit të bankave.

Nga ana tjetër, konkurrenca e shtuar në sistemin bankar vazhdon të ndikojë në lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët. Standardet e kreditimit për individët pritet të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e tretë të vitit 2024.

Kushtet dhe termat e kreditimit për blerjen e banesave u raportuan paksa të shtrënguara, ndërsa ato për financimin e konsumit u lehtësuan. Në drejtim të lehtësimit ndikoi rritja e madhësisë së kredisë, ndërsa marzhet më të larta dhe kërkesat për kolateral patën ndikim shtrëngues.

Shkalla e miratimit të kredive për individët u rrit në tremujorin e dytë të vitit 2024, kryesisht për shkak të faktorëve të lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësve, politikat e bankave dhe historikun e kreditit. I vetmi faktor negativ ishte mungesa e dokumentacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Kërkesa për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e dytë, kryesisht për blerjen e banesave. Faktorët që çuan në rritjen e kërkesës për kredi ishin financimi i konsumit dhe blerja e banesave, ndërsa ndikim negativ patën normat e interesit, përdorimi i burimeve alternative të financimit dhe besimi konsumator.