Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Mbledhja e 15-të Shqipëri-BE në Bruksel: Vlerësohen reformat në tatime, dogana dhe industri

Redazione Avatar

di Redazione

24/10/2024

TITOLO

Mbledhja e 15-të e Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian po zhvillohet më 23 dhe 24 tetor 2024 në Bruksel, nën drejtimin e Ministrisë së Financave të Shqipërisë.

Në hapjen e këtij takimi, u theksua rëndësia e tij, duke vënë në dukje se raportimi i palës shqiptare ndodh në një moment historik, pasi Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me BE-në çeli kapitullin “Themelorët” në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë, duke përforcuar bashkëpunimin për zbatimin e reformave të nevojshme.

Nënkomiteti përfshin raportimin vjetor të Shqipërisë në fushat që lidhen me Kapitullin 16 "Tatimet", Kapitullin 29 "Bashkimi Doganor", Kapitullin 1 "Lëvizja e Lirë e Mallrave" dhe Kapitullin 20 "Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale".

Gjatë ditës së parë, delegacioni shqiptar ndau informacione për zhvillimet më të fundit në fushat e tregtisë, tatimeve dhe doganave në vend. Disa nga temat kryesore të diskutuara përfshijnë miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027; masat brenda Planit të Rritjes; avancimet në zbatimin e ligjit të ri të të ardhurave; përfundimin e procesit të fiskalizimit dhe përfitimet e tij; zbatimin e Strategjisë së Biznesit të Administratës Doganore për vitet 2023-2027; lehtësimin e procedurave doganore për operatorët ekonomikë dhe ndryshimet ligjore të Kodit Doganor Shqiptar për përafrim me acquis të BE-së.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian e vlerësuan pozitivisht progresin dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria. Ditën e dytë, diskutimet do të fokusohen në lëvizjen e lirë të mallrave, politikat industriale dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe zhvillimet në fushën e turizmit.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane