Ministeriali NATOS-s , Hasani : Duhen marrë masa për Ballkanin Perëndimor
di Redazione
04/12/2024
Bruksel, 4 dhjetor 2024 – Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, z. Igli Hasani, mori pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, e cila u zhvillua në Bruksel. Ky takim, i pari nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të ri, Mark Rutte, shënoi gjithashtu mbylljen e një viti historik për Aleancën e Atlantikut të Veriut, që festoi 75-vjetorin e themelimit.
Në fjalën e tij, Ministri Hasani theksoi angazhimin e fortë të Shqipërisë për Lidhjen Transatlantike, duke e cilësuar atë si “gur thelbi” të NATO-s.
Ai njoftoi gjithashtu se Shqipëria aktualisht po investon 2.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fushën e mbrojtjes, duke u përqendruar në modernizimin e Forcave të Armatosura, dhe po punohet për të arritur 3% të PBB-së deri në vitin 2030.
Në kuadër të miratimit të raportit dyvjeçar të NATO-s për Ballkanin Perëndimor, ministri Hasani theksoi nevojën urgjente për të forcuar unitetin e Aleancës, veçanërisht në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, për të përballuar në mënyrë efikase kërcënimet ndërkufitare dhe për të forcuar kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse.
Gjithashtu, Ministrat e Jashtëm miratuan një sërë dokumentesh që trajtojnë çështje të ndryshme të Aleancës, me fokus të veçantë në përparimin e zbatimit të vendimeve të rëndësishme të miratuara nga Krerët e Shteteve dhe Qeverive gjatë Samitit të Uashingtonit (9-11 Korrik 2024), si dhe fillimin e përgatitjeve për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Hagë më 24-25 qershor 2025.
Në fokus të takimeve, ku mori pjesë edhe Përfaqësuesja e re e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, znj. Kaja Kallas, ishte vazhdimi i mbështetjes së vendeve aleate për Ukrainën. Gjatë takimit me homologun ukrainas, z. Andri Sybiha, në kuadër të Këshillit NATO-Ukrainë (NUC), Ministrat e Jashtëm aleatë theksuan angazhimin e plotë për Ukrainën dhe përkrahjen e saj në përpjekjet për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Një sesion tjetër u përqendrua në situatën në kahun jugor të Aleancës, ku mori pjesë edhe Mbreti i Jordanisë, Madhëria e Tij, Abdullah II. Vendet aleate nënvizuan rëndësinë e forcimit të partneriteteve ekzistuese të NATO-s me vendet në jug të Aleancës, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Gaza, duke u bazuar në vendimet e marra nga liderët gjatë Samitit të Uashingtonit, ku NATO emëroi një Përfaqësues të Posaçëm për këtë rajon.
Gjithashtu, Ministrat diskutuan mbi qasjen strategjike të Aleancës ndaj Rusisë dhe masat e nevojshme për të adresuar kërcënimet e sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane