Ministri Malaj mban një takim me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit për diskutimin e Strategjisë Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027
di Redazione
07/10/2024
Ministri i Financave, Petrit Malaj, mbajti një takim me përfaqësues nga dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit, ku u prezantua dhe u diskutua drafti i Strategjisë Afatmesme e të Ardhurave për periudhën 2024-2027. Ministria e Financave ka nisur tashmë procesin e konsultimit publik për këtë strategji.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara, përfshirë dhomat dhe shoqatat e tregtisë, për të finalizuar një strategji gjithëpërfshirëse dhe për të siguruar zbatimin e saj të suksesshëm.
Ministri sqaroi se draft strategjia bazohet në tre shtylla kryesore: rishikimi i politikave tatimore, përmirësimi i administrimit tatimor dhe administrimi i sektorit doganor. Ndër pikat kyçe të shtyllës së parë janë rishikimi i përjashtimeve tatimore, normave të ulura të taksave direkte dhe indirekte, si dhe rivlerësimi i taksës mbi pasuritë.
“Si rezultat i implementimit të masave nën këtë shtyllë, si Ministri e Financave parashikojmë të mbledhim rreth 9 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit 2027”, tha z.Malaj
Lidhur me shtyllën e miradministrimit tatimor, ministri Malaj e cilësoi atë si një nga më të rëndësishmet, duke theksuar se ajo synon reduktimin e punës së padeklaruar dhe nëndeklarimit të pagave reale. Ai përmendi gjithashtu krijimin e instrumenteve për identifikimin dhe hetimin e rasteve të shmangies tatimore nga tatimpaguesit, qoftë nga individët apo subjektet. Një tjetër aspekt kyç është digjiitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke integruar edhe inteligjencën artificiale, me qëllim rritjen e deklarimeve dhe uljen e informalitetit në ekonomi.
“Kjo është shtylla më e rëndësishme për vetë faktin që nëpërmjet implementimit të masave të kësaj shtylle ne parashikojmë që të rrisim të ardhurat tatimore me rreth 51 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit 2027”, shprehu ai
Shtylla e tretë e draft strategjisë fokusohet në miradministrimin doganor, duke përmirësuar sistemet IT për modernizimin e profilizimeve të riskut dhe menaxhimin e të dhënave. Kjo synon të rrisë në mënyrë të qëndrueshme mbledhjen e të ardhurave, përfshirë TVSH-në, akcizat dhe tarifat doganore. Po ashtu, përfshihet zgjerimi i Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar dhe forcimi i bashkëpunimit kundër informalitetit dhe kontrabandës.
Takimi vazhdoi me prezantimin e detajuar nga zëvendësministrja Vasilika Vjero dhe diskutime të pjesëmarrësve, të cilët do të japin komente për rishikim teknik përpara se drafti t’i dorëzohet Këshillit të Ministrave për miratim.
Kjo strategji, e hartuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian, është një parakusht për përfitimin e Shqipërisë nga instrumenti i BE-së për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
Articolo Precedente
Zv. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma, merr pjesë në Konferencën mbi Inovacionin dhe Progresin.
Articolo Successivo
Manastirliu prezanton planin për Universitetin e Korçës: Një model për rajonin
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane