Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Ministri Malaj merr pjesë në takimin e nivelit të lartë në Mal të Zi, fokus në luftën kundër tregtisë së paligjshme të duhanit në Ballkanin Perëndimor

Redazione Avatar

di Redazione

17/03/2025

TITOLO

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë në Podgoricë, Mal të Zi, ku u diskutuan masat për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim ishin të pranishëm Ministrat e Financave të vendeve të rajonit, përfaqësues nga Komisioni Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, si dhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, OECD dhe Organizata Botërore e Doganave.

Diskutimet u përqendruan te forcimi i angazhimit politik për të luftuar evazionin tatimor dhe tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit në rajon. Ministri Malaj vlerësoi organizimin e takimit dhe theksoi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe organizatave ndërkombëtare për të frenuar këtë fenomen, i cili jo vetëm dëmton ekonominë përmes humbjeve fiskale, por përbën edhe një rrezik për shëndetin publik.

“Në Ballkanin Perëndimor, shtete si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina përballen me sfida të ngjashme në lidhje me tregtinë e paligjshme të duhanit dhe ndikimin e rritjes së akcizës. Bashkëpunimi me këto vende është i rëndësishëm për të forcuar kapacitetet e mbikëqyrjes dhe për të siguruar një treg më transparent. Politikat e harmonizuara dhe kontrollet e përbashkëta me institucione brenda vendit por edhe me partnerët kanë treguar se një qasje e koordinuar rajonale mund të ndihmojë në reduktimin e informalitetit dhe përmirësimin e të ardhurave fiskale”, shprehu z. Malaj.

Ministri theksoi se autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, kanë intensifikuar kontrollet kufitare, operacionet kundër rrjeteve të kontrabandës dhe reformat ligjore për të ashpërsuar ndëshkimet ndaj trafikantëve. Megjithatë, sipas tij, lufta kundër kontrabandës së duhanit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, e cila përfshin përmirësimin e alternativave ekonomike për personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm dhe zbatimin e rreptë të ligjit ndaj organizatorëve kryesorë.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave renditi masat konkrete që Shqipëria ka ndërmarrë për të luftuar kontrabandën e duhanit. Këto përfshijnë forcimin e kontrolleve doganore dhe kufitare, ashpërsimin e legjislacionit dhe të ndëshkimeve, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me vendet e rajonit, BE-në dhe organizata si Interpol, Europol dhe SELEC. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ndërgjegjësimi dhe edukimi i qytetarëve mbi pasojat e këtij fenomeni.

Pavarësisht nga sfidat, Ministri nënvizoi se suksesi i këtyre masave varet nga zbatimi i tyre i rreptë dhe nga një luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit, i cili mund të lehtësojë këtë aktivitet të paligjshëm. Ai vlerësoi hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në forcimin e sistemit të akcizës, përafrimin me standardet evropiane dhe përmirësimin e mekanizmave për të luftuar tregtinë e paligjshme të duhanit. Për tejkalimin e sfidave, ai theksoi nevojën për politika më efektive, mekanizma më të fortë të zbatimit dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane