Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Përmirësimi i shërbimeve publike dhe mirëqeverisja, në qendër të takimit për vlerësimin PEFA në nivel vendor

Redazione Avatar

di Redazione

02/10/2024

TITOLO

Nën drejtimin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Buxhetit pranë Ministrisë së Financave, znj. Mimoza Dhëmbi, dhe Zëvendës Ambasadorit të Zvicrës në Tiranë, z. Philipp Arnold, u mbajt një takim mbi Shpenzimet Publike dhe Përgjegjësinë Financiare (PEFA) në nivel lokal.
Ky takim u organizua nga ekspertët që do të kryejnë vlerësimin PEFA për njësitë vendore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive të përzgjedhura për këtë proces: Tiranë, Fier, Kuçovë, Berat dhe Tropojë, si dhe përfaqësuesve nga Ministria e Financave. Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë dhe indikatorët që do të përdoren në këtë vlerësim.
Diskutimet u përqendruan në Vlerësimet e Shpenzimeve Publike dhe Llogaridhënies Financiare në nivel lokal (PEFA), një çështje kyçe për mirëqeverisjen dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri. U theksua se këto vlerësime nuk përfaqësojnë thjesht një proces teknik, por përbëjnë një gur themelor për avancimin e decentralizimit dhe reformave financiare në vend.

Objektivi kryesor i këtyre vlerësimeve është të ofrojë një analizë të qartë mbi pikat e forta dhe sfidat në menaxhimin financiar publik të pesë bashkive të përzgjedhura. Ky proces bazohet në metodologjinë PEFA dhe pason fazën e parë të vlerësimit, të realizuar në periudhën 2016-2017. Tashmë, me fillimin e Fazës II në janar të këtij viti, do të përditësohet vlerësimi i mëparshëm.
Përmes këtij procesi, synohet që të bëhet një vlerësim i ri i kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e financave publike; të matet progresi që kanë bërë që nga vlerësimet e vitit 2017; si dhe të ofrohen të dhëna të vlefshme për zbatimin e strategjive për Fazën II, për dialogun e politikave midis qeverisë dhe autoriteteve lokale, dhe për përmirësimin e sistemit të financimit për shërbimet vendore.

Në këtë kuadër, vlerësimet PEFA ofrojnë mundësinë për të vlerësuar performancën financiare dhe administrative të bashkive, si dhe për të vëzhguar progresin në përmirësimin e shërbimeve publike. Gjithashtu, do të shërbejnë për të krijuar një bazë analitike të vlefshme për mbështetjen e reformave të mëtejshme në menaxhimin financiar në nivel lokal.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij vlerësimi është përdorimi i një moduli të ri për ofrimin e shërbimeve, i cili do të analizojë sektorë specifikë si arsimi parashkollor dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta, ku qeverisja vendore ka një rol thelbësor. Zbatimi i këtij moduli do të ofrojë një pasqyrë të qartë të ndërveprimit midis sistemeve të menaxhimit financiar publik (PFM) dhe ofrimit të shërbimeve në nivel lokal.
Vlerësimet PEFA do të jenë një mjet i rëndësishëm për të identifikuar reformat e nevojshme dhe për të siguruar që njësitë vendore të kenë kapacitetet e duhura për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë. Ky proces do të përmirësojë transparencën dhe përgjegjësinë në menaxhimin e burimeve publike në Shqipëri, duke krijuar gjithashtu bazat për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar në Evropë.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane