Petrit Malaj theksoi se Shqipëria ka arritur një progres të qëndrueshëm në fushën e transparencës së financave publike, duke forcuar sistemin e raportimit financiar
di Redazione
13/12/2024
Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm sot në aktivitetin me temë “Ndërtimi i Besimit: Rruga e Shqipërisë në BE drejt Qeverisjes Transparente”. Ky event, i organizuar në kuadër të “Javës së Integritetit”, mblodhi figura të rëndësishme si Kryeministrin z. Edi Rama, Ambasadorin e BE-së, z. Silvio Gonzato, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet shtetërore.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e transparencës në menaxhimin e financave publike dhe vlerësoi progresin e arritur vitet e fundit, i cili është konfirmuar edhe nga disa organizma ndërkombëtarë monitorues. Ai shtoi se Ministria e Financave ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të rritur transparencën, duke ofruar informacion më cilësor dhe të lehtë për t’u kuptuar nga publiku i gjerë.
Ministri i Financave theksoi se prezantimi i platformës interaktive “Albania Transparency” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të informacionit buxhetor të plotë dhe cilësor për qytetarët. Përmes kësaj platforme, çdo qytetar ka mundësinë të ndërveprojë duke shprehur opinione dhe sugjerime.
"Në vlerësimin e fundit të Open Budget Index në terma krahasimorë, në vitin 2023, Shqipëria u vlerësua me 57 pikë nga 38 pikë që vlerësohej më parë kundrejt 100 pikëve të mundshme. Ky pikëzim na renditi shumë afër pragut që i referohet vendeve që ofrojnë informacione dhe materiale të mjaftueshme që mbështesin debatin publik për buxhetin. Në këtë vlerësim, Shqipëria la ndjeshëm pas vendet e rajonit, si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina dhe na pozicionoi me afër me vendet e BE-së, si Sllovenia dhe Kroacia.
Referuar edhe vlerësimit PEFA, pikat e forta në transparencën e financave publike janë grupi i plotë i dokumenteve buxhetore të ofruara nga qeveria qendrore në Kuvend, që mundëson një pasqyrë të plotë të parashikimeve fiskale, propozimit të buxhetit dhe rezultateve fiskale të vitit aktual dhe atij të mëparshëm.
Nota pozitive janë marrë edhe nga vlerësimi SIGMA, ku është vlerësuar zbatimi i buxhetit në përputhje me vlerësimet dhe raportet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke lejuar shqyrtimin në kohë të tij."
"Në këtë frymë, edhe prezantimi sot i platformës interaktive “Albania Transparency” përbën një hap tjetër kyç në ofrimin e informacionit buxhetor të plotë dhe cilësor për publikun e gjerë, përmes së cilit çdo qytetar do të mund të ndërveprojë me opinione dhe sugjerime. Në fillim informacioni do të jetë i konceptuar kryesisht për projektet e investimeve, për t’u shtrirë më pas për të gjitha shpenzimet buxhetore. Kryesisht do të jenë informacione që lidhen me shpenzimet kapitale faktike, por edhe të detajuara sipas realizimeve përkatëse."
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane