Prezantohet Raporti i Tranzicionit BERZH 2024–2025 , Sejko: Reformat dhe politikat industriale, shtylla të zhvillimit dhe integrimit në BE
di Redazione
28/05/2025
Më 28 maj 2025, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit 2024–2025 i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, theksoi se ky raport shënon hapjen e analizave ekonomike profesionale për vitin 2025. Ai vlerësoi prezantimin e raportit si një ngjarje të rëndësishme vjetore, që mbledh së bashku ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të institucioneve publike e private dhe aktorë kyç të industrisë financiare.
Raporti i këtij viti, me temën “Riformulimi i Politikave Industriale në një Peizazh Global që Ndryshon”, ofron një analizë të thelluar mbi një nga sfidat më dinamike të kohëve moderne. Ai vë në dukje kompleksitetin në rritje të politikave industriale dhe ringjalljen e tyre si instrument strategjik për të përballuar ndryshimet strukturore në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Sot, politikat industriale nuk shihen më vetëm si mbështetje për sektorët ekzistues, por si një levë për ndërtimin e ekonomive të diversifikuara dhe të bazuara në inovacion.
Në vijim, Guvernatori Sejko solli disa nga gjetjet e raportit në kontekstin shqiptar, duke theksuar se për më shumë se dy dekada, Shqipëria dhe rajoni kanë investuar në reforma strukturore që kanë forcuar institucionet, përmirësuar klimën e biznesit dhe ndërtuar një ekonomi të hapur dhe konkurruese. Ai nënvizoi se këto reforma kanë kontribuar në një rritje ekonomike mesatare prej 3.5–4% në vit gjatë pesë viteve të fundit, kanë ulur papunësinë në 11.3% në vitin 2024 dhe kanë nxitur një rritje të konsumit privat me 7%. Megjithatë, ai shtoi se këto reforma, ndonëse të domosdoshme, nuk mjaftojnë më për të përballuar sfidat e reja të zhvillimit.
“Banka qendrore nuk harton politika industriale, por kontribuon në to si garantuese e stabilitetit makroekonomik dhe financiar – kusht themelor për çdo zhvillim të qëndrueshëm. Sot, mund të themi se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet – PBB-ja u rrit me 4% në vitin 2024, inflacioni mbetet në 2%, kreditimi privat është rritur me 16,7%, dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin historik 4%. Kjo pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë të mbështesë sektorin real”, deklaroi Sejko.
Articolo Precedente
Lëkura nën diell? Helios nga Fresh Line kujdeset në çdo hap
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane