Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Projektbuxheti 2025 u prezantua nga Minsti Malaj sot në konferencën e kryetarëve

Redazione Avatar

di Redazione

30/10/2024

TITOLO

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve projektligjin "Për buxhetin e vitit 2025," i cili u miratua nga Këshilli i Ministrave pak ditë më parë. Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe të forcojë konsolidimin fiskal, me fokus të veçantë në financimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, që konsiderohet një mjet thelbësor për të përshpejtuar përputhjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë me BE-në.

“Objektivat e projektbuxhetit 2025 janë ruajtja e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë që garantojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme si dhe financimi i politikave prioritare që mundësojnë integrimin sa më të shpejtë në familjen e Bashkimit Europian”- u shpreh z. Malaj.

Ministri njoftoi se buxheti për 2025 kalon 8 miliardë euro në shpenzime publike të planifikuara, duke synuar uljen e borxhit publik përmes mirëadministrimit fiskal dhe pa masa të reja fiskale. Sipas z. Malaj, ky buxhet përputhet me objektivat kyç të politikës fiskale, duke synuar kufizimin e deficitit të përgjithshëm buxhetor në 2.6% të PBB-së dhe ruajtjen e një bilanci primar pozitiv, me qëllim zvogëlimin e mëtejshëm të borxhit publik nën nivelin 56% të PBB-së. Për vitin 2025 parashikohet që ekonomia të ketë një rritje prej 3.9%, e ndikuar kryesisht nga konsumi privat dhe investimet totale në ekonomi.

Në aspektin e të ardhurave buxhetore, projektbuxheti 2025 synon një total prej 754.6 miliardë lekë, ose 28.8% e PBB-së, me një rritje prej 40.6 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024. Ndërkohë, shpenzimet e parashikuara për vitin 2025 janë në nivelin e 822.7 miliardë lekë, ose 31.4% e PBB-së, një rritje prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me vitin 2024.

Ministri Malaj theksoi se do të vazhdojë financimi i investimeve publike të konsiderueshme, që parashikohet të përbëjnë mesatarisht 6.1% të PBB-së gjatë periudhës 2025-2027, me përqendrim te projektet strategjike dhe lidhjet me Planin e Rritjes së BE-së.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane