Qeveria Shqiptare nxit investimet në alpe me paketën e re mbështetëse
di Redazione
30/04/2024
Kryeministri Edi Rama do të mbajë një takim sot në Theth me përfaqësuesit e sektorit të agroturizmit që operojnë në këtë zonë, ku do ti prezantojë me një paketë të re mbështetëse për investimet në alpe.
Bashkë me kryetaren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, Kryeministri u ndal fillimisht në Bunin e Bajraktarit, të cilin e cilësoi si Ballkonin e Perëndisë.
Në një video nga Buni i Bajraktarit, Rama bëri të ditur se "do të diskutojë me ata që kanë bërë Thethin një destinacion turistik europian për paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male".
Rama tha se kjo paketë do të hapë rrugën për të gjithë ata që kanë zgjedhur këtë zonë për të jetuar dhe punuar, duke kursyer dhe investuar.
“Kursimet e tyre mund t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato problemet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firma dhe procedura të tjera. Me një mbështetje të fuqishme në aspektin e lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër se sa fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve, ata mund të bëjnë ndryshimin”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo do t’i japë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë, falë turizmit dhe numrit të rritur të turistëve në Shqipëri.
“Janë edhe më shumë turistë këtë vit se 10 milionë të vitit të kaluar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit, mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”, tha Rama.
Ndërsa Spiropali theksoi zhvillimin që ka marrë zona e alpeve.
“Këtu jemi në qendrën e alpeve, pak më vonë do të shkojmë në Theth dhe do t’i bëjmë një rrugë përreth gjithë kësaj unaze, që ka marrë një zhvillim të ri dhe besoj do të sjellë jo vetëm më shumë turistë, por edhe më shumë begati për gjithë banorët e kësaj zone”, tha ajo.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bëri të ditur se do të fillojë faza e dytë e rrugës së Dukagjinit, e mirëpritur nga banorët e zonës. “Sot makineritë janë atje, na presin të fillojmë komandën për të bërë edhe 30 km rrugë të tjera”, tha ai.
Kryeministri u shpreh: “Ka edhe një tjetër plan shumë ambicioz, por do ta mbajmë për një moment sekret dhe surprizë për shkodranët dhe Shkodërlocen, që tani me krahët e rilindjes do të fluturojë lart e më lart dhe do të kthehet në atë lartësi të cilën e kanë dashur dhe kënduar poetët e saj të jashtëzakonshëm.”
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane