Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Rekord i ri në kredi për ndërtim, vlera më e lartë në 8 vitet e fundit

Redazione Avatar

di Redazione

06/09/2024

TITOLO

Kredia për sektorin e ndërtimit ka shënuar një rritje të dukshme këtë vit, duke arritur nivelet më të larta të tetë viteve të fundit.

Statistikat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në shtatë muajt e parë të vitit, vlera e kredisë së re për ndërtim arriti në 28.4 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithsej, portofoli aktiv i kredisë ka arritur 76 miliardë lekë, duke u rritur me 7% krahasuar me një vit më parë. Ky rezultat është pasojë e ciklit pozitiv në sektorin e ndërtimit, i cili ka qenë një kontribuues i rëndësishëm në rritjen e ekonomisë gjatë viteve të fundit.

Në veçanti, sektori i ndërtimit po ndihmon në zgjerimin e kreditimit të ekonomisë për këtë vit. Një pjesë e madhe e rritjes së kredisë mund të jetë e lidhur me financimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës, veçanërisht ato të bazuara në partneritete publike-private.

Falë një performancë të fortë financiare gjatë viteve të fundit, sektori bankar ka shtuar oreksin për të ndërmarrë rreziqe dhe është i gatshëm të financojë projekte më të mëdha në huatë korporative.

Në lidhje me ndërtesat rezidenciale dhe tregun e pasurive të paluajtshme, kreditimi ka përjetuar një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet e tregut, veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare. Vitin e kaluar pati një ngadalësim në këtë sektor, i lidhur me rritjen e normave të interesit dhe ngadalësimin e çmimeve, por këtë vit ka shfaqur një optimizëm të ri, i reflektuar në rritjen e shpejtë të kreditimit.

Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë ka nxitur shqetësime në Bankën e Shqipërisë. Në Deklaratën e Stabilitetit Financiar të së mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës theksoi se ritmi i rritjes së kredisë duhet të ngadalësohet.

Në këtë drejtim, Guvernatori vendosi të zbatojë në qershor një shtesë kundërckilike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se oferta për ndërtime vazhdon të jetë e lartë, megjithëse numri i lejeve të ndërtimit është ulur. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë dhënë 938 leje ndërtimi, një rënie prej 29% krahasuar me vitin e kaluar. Pavarësisht kësaj, sipërfaqja totale e lejeve të miratuara është rritur me 13%, ndërsa vlera e ndërtimeve të reja ka shënuar një rritje prej 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane