Rritje e pagës minimale dhe ndryshime në tatimin mbi pagat në paketën fiskale të 2027-ës
di Redazione
23/09/2024
Në dy vitet e ardhshme, qeveria do të bëjë ndryshime në skemën e tatimit mbi pagat, duke rritur pragun e pataksueshëm dhe duke rishikuar normat progresive.
Në strategjinë fiskale afatmesme për periudhën 2024-2027, qëllimi është përmirësimi i progresivitetit të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke synuar të lehtësojë barrën fiskale për kategoritë me të ardhura të mesme dhe të rrisë pragun për zbatimin e normës margjinale.
Qeveria thekson se Shqipëria mbledh rreth 40-50% më pak të ardhura nga tatimet direkte mbi bizneset dhe individët në krahasim me vendet e Bashkimit Europian. Kjo diferencë vjen si rezultat i tre faktorëve kryesorë:
- Normat tatimore në Shqipëri janë përgjithësisht më të ulëta krahasuar me ato të vendeve të BE-së.
- Përjashtimet nga tatimi mbi të ardhurat që përfitojnë bizneset dhe individët.
- Mosraportimi ose nënraportimi i të ardhurave dhe fitimeve nga ana e bizneseve dhe individëve.
Për të përmirësuar këtë situatë, qeveria ka në plan të zgjerojë bazën e deklarimit të të ardhurave personale duke ulur pragun e detyrimit për deklarim. Një njësi e specializuar brenda administratës tatimore do të krijohet për të mbikëqyrur individët me të ardhura dhe pasuri të larta.
Gjithashtu, në dy vitet e ardhshme do të rritet gradualisht paga minimale, si për efekt të kontributeve ashtu edhe për efekt të tatimit mbi pagat, me qëllim që në të ardhmen të njësohen.
Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe kontributet e detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, janë burime të rëndësishme të ardhurash për buxhetin e shtetit dhe ndikojnë në eficencën e tregut të punës dhe aktivitetin ekonomik në vend.
Megjithatë, në periudhën afatmesme, sistemi aktual i tatimit mbi punën kërkon përmirësime për të zvogëluar ndërlikimet që shkaktojnë baza të ndryshme tatimore.
Për të shtuar të ardhurat nga tatimi mbi pagat, administrata tatimore do të intensifikojë luftën kundër informalitetit. Brenda kësaj strategjie janë përfshirë shtatë masa për të adresuar problemin.
Këto masa parashikohet të sjellin një rritje të të ardhurave tatimore prej 4.9 miliardë lekësh, veçanërisht nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Prioritetet për periudhën 2024-2027 përfshijnë rritjen me 0.18% të PBB-së nga tatimi mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rritjen e deklarimit të pagave reale për 16% të të punësuarve.
Një tjetër synim është përfshirja e 5.5% pozicione të reja pune në skemën e kontribuuesve, si dhe hartimi i një plani sektorial për të identifikuar punën e padeklaruar dhe nën-deklaruar.
Articolo Precedente
BSH: Kreditë për shtëpi shënojnë rritje me 13% gjatë gjashtë muajve të parë
Articolo Successivo
Bankat shënojnë fitim prej 18.6 miliardë lekësh në fund të gjashtëmujorit
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane