Rritje rekord e investimeve të huaja në pronat shqiptare në fillim të vitit
di Redazione
25/09/2024
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 749 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë. Kjo përfaqëson një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të jenë sektori kryesor i investimeve të huaja direkte në Shqipëri për këtë vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit 2024, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën 97 milionë euro, një shifër rekord për këtë periudhë.
Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet në prona u rritën me 24%, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, vlera arriti 181 milionë euro, duke përfaqësuar një rritje prej 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Këto shifra përfaqësojnë gjithashtu vlerat më të larta historike për investimet e huaja direkte në prona për këtë periudhë.
Një faktor kyç për këtë rritje ka qenë blerja e pronave nga shtetas jorezidentë dhe të huaj. Rreth 27% e banesave të shitura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 u blenë nga jorezidentë, ku 61% e tyre ishin shtetas nga vendet e Bashkimit Europian. Kjo rritje është nxitur nga zbulimi i Shqipërisë si një destinacion turistik, si dhe nga kostoja më e ulët e jetesës dhe çmimet më të ulëta të pronave krahasuar me tregjet konkurrente.
Sektori i aktiviteteve financiare zë vendin e dytë për vlerën e investimeve të huaja direkte, me një total prej 126 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2024, që përfaqëson një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sektori bankar ka sjellë vazhdimisht flukse të qëndrueshme investimesh, të nxitura nga fitimet e larta dhe kërkesat e reja për rritjen e kapitalit.
Në vendin e tretë renditet industria nxjerrëse, me investime prej 101 milionë euro. Megjithatë, ky sektor ka parë një rënie prej 32% krahasuar me vitin e kaluar, me investimet që vijnë kryesisht nga riinvestimi i fitimeve të kompanive që operojnë në nxjerrjen e naftës bruto.
Industria përpunuese renditet e katërta, me një total prej 90 milionë euro investime të huaja për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, një vlerë që është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë, sektori i energjisë ka pasur një rritje modeste, me investime prej 73 milionë euro për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, duke u rritur me 7% krahasuar me një vit më parë. Edhe pse sektori energjetik ishte udhëheqës për investimet e huaja direkte në vitet e mëparshme, falë projekteve madhore si gazsjellësi TAP dhe investimeve në energjinë hidrike, pas përfundimit të këtyre projekteve ka pasur një ngadalësim. Megjithatë, interesi për energjinë diellore është në rritje në vitet e fundit.
Articolo Precedente
Nga 72 mijë kërkesa për kredi, 25% u refuzuan: Toleranca e bankave ndaj bizneseve rritet
Articolo Successivo
Financimi në bujqësi merr shtesë 5 Milionë Euro në skemën e vitit 2024
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane