Sektori i tekstileve dhe këpucëve në krizë: Rënia e euros dhe rritja e kostove prekin eksportet
di Redazione
06/08/2024
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, eksportet kanë përjetuar një tkurrje të konsiderueshme. Sipas INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor 2024, vlera e eksporteve të mallrave ka rënë me 14.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Grupi kryesor që ka ndikuar në këtë rënie është “Tekstile dhe këpucë” me -5.4 pikë përqindjeje.
Tekstilet dhe këpucët përbëjnë grupin më të rëndësishëm në eksportet totale me një peshë prej 27.8%. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 55.41 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023, vlera ishte 68.1 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 23%.
Vlera më e lartë e eksporteve ka qenë në muajt shkurt dhe maj, me 93.5 miliardë lekë dhe 93.7 miliardë lekë respektivisht. Ndryshimet vjetore tregojnë se muaji mars ka shënuar rënien më të madhe të eksporteve të tekstileve dhe këpucëve me 25%, ndjekur nga maji me 24.3% dhe janari me 18.6%. Gjatë muajve shkurt dhe qershor, eksportet kanë rënë me 15%.
Industria e fasonerisë po përballet me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove dhe zhvlerësimin e euros, që ul të ardhurat kur konvertohen në lekë. Gjatë janar-qershor 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 114 lekë, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2024, këmbehet me 100.37 lekë, gati 12% më pak.
Qeveria ka krijuar një fond garancie sovrane prej 4 miliardë lekësh për të mbështetur këtë sektor, duke lehtësuar blerjen e makinerive dhe automatizimin e linjave të prodhimit.
Articolo Precedente
Rritja e pasurisë së Shqipërisë përmes investimeve në arsim dhe teknologji
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane