Caricamento...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Shqipëria merr 95.7 milionë euro borxh nga BERZH për rinovimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit

Redazione Avatar

di Redazione

27/05/2024

TITOLO

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, njoftoi sot se shuma e borxhit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit arrin në 95.7 milionë euro.

Gjatë prezantimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”, zv/ministrja Muçaj deklaroi:

“Ky investim realizohet përmes një bashkëfinancimi që arrin në vlerën 360 milionë euro, me një mbështetje të fuqishme për shkak të përfshirjes në planin ekonomik të investimit në nivel europian dhe kthimit të rrjeteve hekurudhore në Shqipëri, falë iniciativave dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një investim nga Bashkimi Europian në vlerën prej rreth 54% të totalit të investimit.”

Zv/ministrja Muçaj theksoi se ky është një nga investimet më të rëndësishme të Shqipërisë në transportin hekurudhor, duke sjellë përfitime të mëdha për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë e vendit. “Ky investim do të sjellë qëndrueshmëri, kosto më të ulët dhe shpejtësi më të lartë të transportit të mallrave dhe shërbimeve, duke arritur objektiva të shumta,” shtoi ajo.

Muçaj shpjegoi se objektivat e projektit përfshijnë rritjen e sigurisë dhe shpejtësisë së transportit, ndërtimin e një infrastrukture ndërvepruese që lidh Vorën me Hanin e Hotit, duke mundësuar lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve nga porti i Durrësit drejt Malit të Zi dhe përtej, në kryeqytetet e rajonit si Lubjana, Beogradi dhe deri në portet e Bullgarisë.

Ajo shtoi se do të ketë kushte më të mira për transportin e palëve të interesuara, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. “Do të krijojmë një standard që ofron elementet e ndërlidhjes rajonale dhe europiane si korridoret 8 dhe 10, duke ofruar shpejtësi dhe efiçiencë të lartë të transportit,” tha Muçaj.

Në lidhje me detajet teknike, Muçaj tha se linja hekurudhore do të lejojë lëvizje me 120 km në orë, do të jetë e elektrifikuar, do të ketë kapacitet për 22.5 ton për aks dhe 8 ton për metër, për një gjatësi prej 120 km. Do të ketë 12 stacione hekurudhore, një tunel prej 320 metra dhe 12 ura të reja, dhe pritet të përballojë një fluks udhëtarësh prej 2.3 milionë në vit dhe një volum mallrash prej 900 mijë tonësh. Koha e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë.

Ajo shtoi se plani i prokurimit për fazën e parë të punimeve do të përfundojë brenda dhjetorit të këtij viti, dhe punimet pritet të përfundojnë brenda vitit 2030.

Deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu, tha se kjo linjë hekurudhore do të përmirësojë rrjetin infrastrukturor, do të rrisë shpejtësinë dhe do të lidhë Tiranën me kryeqytetet e tjera të rajonit, si Podgorica, Zagrebi dhe Lubjana. Ai theksoi se kjo marrëveshje do të plotësohet edhe me disa marrëveshje të tjera, duke përfshirë Bankën Europiane për Investim.

Gogu ftoi anëtarët e komisionit ta mbështesin këtë marrëveshje dhe të marrin përsipër këtë angazhim financiar për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.

Redazione Avatar

Redazione

Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane