Shqipëria shton kontributin në FMN, Ministri Malaj: Partneriteti, kyç për stabilitetin makroekonomik
di Redazione
13/12/2024
Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për rritjen e kuotës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjatë fjalës së tij, Malaj theksoi se ky hap strategjik do të forcojë pozitat e vendit në FMN dhe do të rrisë kapacitetin e Shqipërisë për të përfituar nga burimet e institucionit në situata të nevojshme.
Ministri Malaj theksoi rëndësinë e vazhdueshme të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke e cilësuar atë jetik për garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe për forcimin e politikave monetare dhe fiskale. Me rritjen e kuotës, Shqipëria do të zotërojë një nivel prej 209 milionë SDR, që korrespondon me rreth 261 milionë euro. Pas prezantimit të Ministrit dhe diskutimeve të deputetëve, projektligji u miratua nga Kuvendi.
"Republika e Shqipërisë është anëtare në institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare dhe vend anëtar me të drejta të plota pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke zotëruar kuota në vlerën 139.3 milionë SDR ose rreth 174 milionë euro.
Si çdo vend anëtar pranë këtij organizimi financiar kemi pranuar kushtet dhe rezolutave që adoptohen nga ky institucion."
"Në dhjetor të vitit 2023, Bordi Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi Rezolutën 79-1 me objekt “Rishikimin e 16-të të përgjithshëm të kuotave”, duke i rritur kuotat e Republikës së Shqipërisë me 69.7 milionë SDR ose 87 milionë Euro.
Kjo rritje do të quhet efektive pas kryerjes së pagesës përkatëse nga ana jonë. Procedura parashikon pagesën e 25% të vlerës, pagesë e cila do të bëhet në SDR ose monedhë tjetër të specifikuar nga Fondi, dhe 75% të shumës në monedhën vendase, me anë të një note premtimi të panegociueshme që nuk mbart interes, e cila mund të thirret për pagesë nga FMN ose jo."
"Në rritjen e fundit të kuotave në vitin 2012, është kryer e njëjta formë pagese dhe shuma në notë premtimi nuk u thirr për pagesë asnjëherë nga FMN gjatë këtyre viteve.
Banka e Shqipërisë do të kryejë me fondet e saj pagesat përkatëse pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, si rrjedhim nuk parashikohen kosto në buxhetin e shtetit.
Pas nënshkrimit të rritjes së kapitalit vendi ynë do të zotërojë kuota pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar në nivelin e 209 milionë SDR ose rreth 261 milionë euro."
"Përsa i përket historikut tonë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ky institucion i ka akorduar Shqipërisë dy kredi në mbështetje buxhetore, në vitet 2014 dhe 2020, me shumë totale 434 milionë SDR ose rreth 543 milionë Euro. Të dyja këto kredi janë disbursuar plotësisht dhe janë në fazën e ripagimit, në përputhje të plotë me kushtet kontraktore. Balanca e mbetur e kredive stoku, më 31.10.2024 ishte 100.97 milionë SDR ose rreth 126 milionë Euro, pra vetëm 23% e huave të marra kanë mbetur pa u shlyer ende." - shprehu ministri Malaj
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane