Duke ngarkuar...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Shqipëria synon zgjerimin e industrisë së mbrojtjes, në fokus partneritetet ndërkombëtare dhe prodhimi vendas

14/09/2026

Shqipëria synon zgjerimin e industrisë së mbrojtjes, në fokus partneritetet ndërkombëtare dhe prodhimi vendas

Shqipëria po përpiqet të ndërtojë gradualisht një bazë më të gjerë industriale në sektorin e mbrojtjes, një fushë që deri pak vite më parë lidhej kryesisht me furnizimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa tashmë po shihet edhe në këndvështrimin e prodhimit vendas, teknologjisë dhe bashkëpunimit me kompani të huaja.

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, e ka cilësuar zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si një prioritet strategjik për Shqipërinë. Sipas tij, objektivi nuk kufizohet vetëm te rritja e kapaciteteve ushtarake, por përfshin edhe krijimin e aftësive teknologjike dhe industriale në vend.

Në planet e bëra publike është përmendur krijimi i gjashtë ndërmarrjeve të përbashkëta me kompani ndërkombëtare. Në këtë fazë, megjithatë, nuk janë bërë publike në mënyrë të plotë vlerat e investimeve, strukturat e pronësisë dhe kalendari i zbatimit për secilin projekt.

Një shembull konkret i drejtimit që po merr kjo strategji është bashkëpunimi me kompaninë italiane Fincantieri. Gjatë muajit gusht u formalizua krijimi i shoqërisë “Fincantieri Albania”, e lidhur me zhvillimin e kapaciteteve në kantierin e Pashalimanit.

Në aspektin ekonomik, zhvillimi i një industrie të tillë mund të krijojë kërkesë për inxhinierë, teknikë, specialistë të teknologjisë, logjistikës dhe prodhimit. Mund të hapë gjithashtu hapësirë për kompani shqiptare që ofrojnë komponentë, mirëmbajtje, shërbime teknike apo furnizime.

Megjithatë, ngritja e një industrie të mbrojtjes nuk është një proces i shpejtë. Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda, ka pranuar se vendit i nevojitet kohë për të ndërtuar infrastrukturën, teknologjinë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar që kërkon ky sektor.

Për këtë arsye, vëmendja në muajt dhe vitet e ardhshme do të jetë jo vetëm te numri i marrëveshjeve të nënshkruara, por edhe te pjesa e prodhimit që do të realizohet realisht në Shqipëri, transferimi i teknologjisë dhe aftësia e industrisë vendase për t’u përfshirë në zinxhirin e furnizimit.