Skema Kombëtare 2025: AZHBR garanton financim të plotë për grupimet e fermerëve
di Redazione
15/04/2025
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka shpallur detajet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025, e cila këtë vit vjen me mbështetje të zgjeruar dhe risi të rëndësishme për sektorin bujqësor dhe blegtoral në vend.
Një nga elementët më të rëndësishëm të skemës është financimi 100% për grupimet e fermerëve dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke synuar nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet prodhuesve dhe fuqizimin e tyre në treg.
Për herë të parë këtë vit, në skemë është përfshirë edhe mbështetja për mbarështimin e viçave, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e prodhimit dhe cilësisë në sektorin e blegtorisë.
AZHBR bën të ditur se fermerët përfitojnë subvencione direkte prej 10,000 lekësh për çdo lopë apo mëshqerrë të matrikulluar dhe 5,000 lekë për çdo viç të matrikulluar. Kjo mbështetje ka për qëllim përmirësimin e gjurmueshmërisë së kafshëve dhe cilësinë e prodhimit blegtoral.
Një tjetër mundësi që ofron Skema Kombëtare 2025 është mbështetja financiare deri në 50% për fermat që kanë më shumë se 50 krerë, duke ndihmuar kështu strukturat e mëdha të prodhimit në përballimin e kostove operacionale dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Afati i fundit për aplikim është data 30 maj 2025, dhe fermerët janë të ftuar të aplikojnë për të përfituar nga një prej 8 masave mbështetëse të parashikuara nga skema.
Skema Kombëtare synon zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri, duke ndihmuar në uljen e kostove për fermerët, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe garantimin e prodhimit cilësor për tregun vendas dhe atë të huaj.
Redazione
Isan Hydi është gazetar ne Itali, founder e seo expert ne krye te kompanise Wolfandshark.com me zyra ne Tirane