Duke ngarkuar...

Ekonomi.al Logo Ekonomi.al

Transavia zbret në Aeroportin e Tiranës: Nisja e një linje ajrore të re

Transavia zbret në Aeroportin e Tiranës: Nisja e një linje ajrore të re

Qytetarët shqiptarë tani kanë mundësi për një udhëtim të drejtpërdrejtë në Amsterdam, falë fillimit të linjës së re ajrore "Transavia". Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), u mbajt një ceremoni inagurimi për këtë hap të rëndësishëm.

Marcel de Nooijer, Drejtori i Përgjithshëm i Transavia, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes, shprehu entuziazmin e tij për fillimin e kësaj linje të re. "Ne shohim një të ardhme të shkëlqyer dhe një bashkëpunim shumë të suksesshëm me Aeroportin e Tiranës. Duke filluar me 3 fluturime në javë drejt Tiranës, shfaqim një potencial të madh. Këtu në Tiranë, ne ndihemi si në shtëpi dhe presim me padurim për bashkëpunime të mëtejshme."

PierVittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, falënderoi kompaninë Transavia për hapjen e kësaj linje. “Kjo është një arritje që i lidh pasagjerët tanë jo vetëm me Amsterdamin, por edhe me destinacione të tjera. Shpresojmë që ky hap të sjellë turistë nga Holanda dhe Evropa për të eksploruar Shqipërinë dhe bukuritë e saj.”

Ky investim në Shqipëri vë në dukje besimin e Transavia në potencialin e vendit si një destinacion turistik dhe biznesi të rëndësishëm. Gjithashtu, lidhet me rritjen dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), të udhëhequr nga vizioni dhe investimet e Kastrati Group.

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, theksoi rëndësinë e këtij hapi për lidhjen e Shqipërisë me Evropën. “Ky hap përparon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapësirën ajrore Evropiane. Gjithashtu, ofron një mundësi të madhe për holandezët dhe pasagjerët e tjerë për të eksploruar këtë vend të bukur”

Maksim Et’hemaj, Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, tha: “Shqipëria tani është e lidhur ngushtë me qytetet Evropiane. Kjo është një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe biznesit në vend. Ne sigurojmë që këto fluturime të përmbushin standardet më të larta për shërbim dhe siguri."

Fillimi i kësaj linje të re shënon një hap të rëndësishëm përpara në transportin ajror në Shqipëri dhe përforcon lidhjet me vendet e Evropës.